Nis ndërtimi i autostradës që lidh Shkupin me Kosovën

0%

Ka nisur zyrtarisht ndërtimi i fazës së dytë të autostradës Shkup-Bllacë, e cila synon të përmirësojë lidhjen rrugore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Ceremonia e vendosjes së gurthemelit është zhvilluar të mërkurën në Shkup, ku kanë marrë pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, si dhe bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami.

Faza e re e projektit përfshin ndërtimin e 10.5 kilometrave autostradë, e cila do të lidhet me 1.5 kilometrat që tashmë janë ndërtuar pranë pikës kufitare Bllacë. Në kuadër të projektit parashihet ndërtimi i 5 tuneleve, 8 urave, 11 nënkalimeve, 4 galerive dhe 9 mureve mbajtëse.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Koce Trajanovski, tha se projekti do të mundësojë një lidhje më të mirë me Kosovën dhe rajonin. Sipas tij, autostrada Shkup-Bllacë pritet të forcojë lidhjet e transportit dhe ekonomisë së Maqedonisë së Veriut me rajonin, duke krijuar qasje më të mirë edhe drejt porteve të Durrësit dhe Tivarit.

Për ndërtimin e autostradës janë siguruar 167.6 milionë euro hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), ndërsa 30.82 milionë euro janë siguruar përmes një granti nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Një pjesë e mjeteve do të përdoret nga buxheti i NP “Rrugët Shtetërore” për shpronësime.

Sipas raportimeve të mediave në Maqedoninë e Veriut, punimet në këtë projekt pritet të përfundojnë brenda katër vitesh. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com