Kanali i ri lë mijëra hektarë pa ujë, bujqit e Pollogut bllokojnë punimet, kërkojnë ujë për vaditje

0%

Kanali për vaditje ekziston, por sipas bujqve të disa fshatrave të Pollogut, kanali i ri ka devijuar rrjedhën tradicionale, e si pasojë uji nuk mund të ngjitet lart, pasi niveli i kanalit është rreth dy metra nën tokën që duhet të ujitet. “Tani ndodhem te kanali, ku që kur mbaj mend unë, gjyshi im, babai im, stërgjyshi im, kanë marrë ujë nga kjo pendë.

A është logjike që në shekullin e 21-të, me një inxhinieri të tillë, të bëjnë një sistem dy metra nën tokë, ku nuk mund ta ngresh dot ujin? Aktualisht po na hapin një kanal të përkohshëm, njëfarë kanali aty, i cili mund të mbyllet që nesër ose pasnesër. 80% e tokave bujqësore në Sedllarcë, Bërvenicë, Reçicë, Pallçisht dhe Kamjan mbeten pa ujë”, tha një banor.

Në shenjë protesta, ata bllokuan punimet për ndërtimin e Korridorit 8 në pjesën e Bogovinës, dhe kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë dhe Drejtoria e Ujërave që të vijnë dhe të zgjidhin problemin e tyre. “Ne duam ujë për vaditje. Kanë vendosur një pompë, por ajo është vetëm për një bujk tërë ditën, kurse ne vetëm sot duhet të vadisim njëzet persona.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ne mund të rrimë gjithë verës në këtë vijë, por zgjidhje nuk ka. Ne duam uji të na lëshohet jo me pompë, por para si ka qenë, para këtij kanalit të ri”, u shpreh një tjetër banor. “Të vijë të hapë vrimën ku ka qenë, mos na lodhë andej-këndej, se shumë mirë e dinë se këtu ka qenë vendi. E ka çuar 200 metra më larg të na malltretojë si bujq.

Tokat na i morën, tallen me ndjenjat tona dhe më pas kërkojnë… këtu të gjithë kanë paguar edhe tokat e të tjerëve që nuk janë ujitur për tërë natën, duhet vrima të hapet. Më shumë se 500 hektarë tokë duhet ujitur këtu me të mirë, kjo për sot bisedohet.

Unë ju thashë ‘hajdeni e hapim vetë’, sepse mijëra euro kemi dhënë nga pranvera për tokat, kanali është këtu, ai shkon dhe e bën 200 metra më larg”, shtoi banori tjetër. “Drejtorin e ujërave të Tetovës e kemi informuar, i kam treguar që shtatë vrima duhet të hapen. Në kohën e vaditjes nuk janë askund, a njerëzit kanë problem, duhet të ujitet, a nuk është problem kjo?!

Vetëm tre kanale duhet të hapen, një orë punë, vetëm tre orë duhen”, u shpreh banori. TV21 kontaktoi Drejtorinë për Menaxhim me Ujërat, nga ku premtuan se në bashkëpunim me “Bechtel & Enka”, brenda ditësh do të zgjidhet problemi i bujqve. Për problemin, të hënën pritet të mbahet mbledhje edhe në Ministrinë e Bujqësisë.

Burimi: Bota Sot