Derisa BE-ja po pret miratimin përfundimtar të planeve për ngritjen e “qendrave të kthimit” në vendet e treta për migrantët në pritje të deportimit, pritet që shtetet e Ballkanit të të kthehen në vende nikoqire të këtyre qendrave, pavarësisht shqetësimeve për shkeljet e të drejtave të njeriut.
“Epoka e deportimeve ka nisur”, i ka thënë Euronewsit në fillimverë Charlie Weimers, eurodeputet suedez i së djathtës ekstreme. Deklarata e tij erdhi një ditë pasi Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian u morën vesh për “rregulloret e reja të kthimit” që shtrojnë bazën ligjore që të dërgohen në vende të treta migrantët “pa të drejtë qëndrimi në shtetet anëtare”.
“Qendrat e kthimit”, kumtohej në njoftimin për shtyp, “mund të shërbejnë, ose si destinacion përfundimtar, ose si qendra transferimi që lehtësojnë kthimin e mëtejshëm në vendin e prejardhjes ose në një vend tjetër të tretë”. Lajmi i alarmoi aktivistët e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor.
Aktivistët e fokusuar në mirëqenien e emigrantëve paralajmërojnë se vendet në rajon mund të jenë nikoqire të këtyre qendrave, pavarësisht shkeljeve të dokumentuara të të drejtave të migrantëve në disa shtete të Ballkanit. Infrastruktura është punë e kryer tashmë.
Me ndihmën bujare nga BE-ja, vendet e Ballkanit gjatë dekadës së fundit kanë ndërtuar një rrjet qendrash migrantësh dhe pritjeje për vendosjen e migrantëve. Disa sosh, përfshirë Bosnjën e Serbinë, tashmë kanë marrëveshje me anëtarët e BE-së për vendosjen e migrantëve. “Ka mjaft kampe që janë të pajisura plotësisht me shtretër dhe gjithçka që nevojitet.
Pra, ato (qendrat aktualisht joaktive të migrantëve) të përdoren lehtësisht përsëri brenda shumë shpejt, 24 ose 48 orësh”, ka thënë Milica Svabiq, avokate në “KlikAktiv” me seli në Beograd, organizatë joqeveritare që ofron mbështetje ligjore për migrantët dhe azilkërkuesit. Ende nuk kanë hyrë në fuqi rregulloret e reja të BE-së për kthimin.
Pasi negociatorët e Këshillit Europian dhe Parlamentit Europian më 1 qershor u morën vesh për rregulloret, eurodeputetët i miratuan zyrtarisht më 16 qershor. Por rregullat e reja duhet të nënshkruhen edhe nga Këshilli i Bashkimit Europian para se të fuqizohen plotësisht.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe një numër organizatash për të drejtat e njeriut i kanë dënuar ashpër rregulloret, duke paralajmëruar se mbajtja në qendra migrantësh në “vendet e treta” jashtë bllokut europian mënjanon mbrojtjet themelore të të drejtave të njeriut.
Megjithatë, disa shtete anëtare të BE-së, si Holanda, Greqia, Austria, Gjermania e Danimarka, tashmë kanë nisur të shqyrtojnë marrëveshjet me vendet e treta. Deri më tani, nuk ka konfirmim zyrtar se cilat vende mund të jenë këto.
Qeveritë e Europës perëndimore po përballen me presion të brendshëm politik, përshkallëzuar nga rritja e mbështetjes popullore e partive të së djathtës ekstreme, për të ushtruar kontroll shumë më të fortë ndaj migracionit dhe për të deportuar migrantët nëse nuk kanë bazë ligjore për qëndrim.
Komisioni Europian i ka thënë BIRN-it se “disa shtete anëtare në fillim të këtij viti nisën iniciativën që shqyrton qendrat e kthimit”. “Komisioni është ftuar si vëzhgues dhe ne po ndjekim nga afër diskutimet… Komisioni nuk po negocion ndonjë marrëveshje, a rregullim të tillë”, ka thënë Komisioni në përgjigjen me shkrim.
Nicholas Ioannides, zëvendësministër Migracioni në Qipro, që aktualisht ka presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Europian, ka deklaruar në qershor se planifikohet të ngrihen këto qendra “ndoshta në Afrikë ose Azi”, por “jo afër kufijve europianë”.
Disa liderë të Ballkanit Perëndimor e kanë refuzuar më parë idenë e strehimit të qendrave të kthimit, sidomos kur Britania do të shqyrtonte të njëjtën mundësi me vende të paidentifikuara në rajon, siç vjet raportoi BBC-ja.
Derisa kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i hapur për këtë ide, Shqipëria e ka kritikuar ashpër konceptin e qendrave të kthimit, edhe pse ka ngritur kampe për vendosjen e migrantëve për përdorim nga Italia. Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka thënë në tetor të vitit 2025 se vendi i tij nuk do të jetë nikoqirë i azilkërkuesve të refuzuar nga Britania.
Nikola Kovaçeviq, avokat serb që mbron refugjatët qe më shumë se një dekadë, i ka thënë BIRN-it se nëse qendrat e kthimit vendosen në Ballkanin Perëndimor, BE-ja “do të dërgojë njerëz që kanë një situatë të tmerrshme, por nuk i plotësojnë kërkesat për azil”, ndërsa “njëherësh do të testojë” nëse është mjaftueshëm i sigurt shteti në të cilin do të kthehen.
Sidoqoftë, Kovaçeviq ka thënë se “Serbia, si një vend që nuk mund t’i mbrojë efektivisht të drejtat e njeriut të refugjatëve dhe azilkërkuesve, nuk është vend i tretë i sigurt”. Qendrat ballkanike të migrimit Paralajmërimet se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të jenë nikoqire të qendrave të kthimit të BE-së ishin shprehur edhe para se të arriheshin marrëveshjet për rregulloret e reja.
“Collective Aid”, organizatë joqeveritare që punon me migrantët dhe azilkërkuesit në Serbi, Bosnjë e Greqi, kishte nxjerrë në shkurtin e sivjetmë një hulumtim me qëndrimin mbi planet e kthimit të BE-së, duke shprehur shqetësimet e saj.
“Ndërsa Bashkimi Europian intensifikon fokusin e tij në politikat e kthimit dhe shqyrton krijimin e të ashtuquajturave ‘qendra kthimi’ në vendet kandidate si Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia, ngrihen shqetësime serioze lidhur me implikimet për njerëzit në lëvizje”, ka shkruar organizata.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qendra të ndalimit të migracionit me kapacitete të gjera të themeluara tashmë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit – shumë sosh të vendosura në Serbi dhe Bosnjë. Ato u financuan kryesisht nga BE-ja, si përgjigje ndaj mijëra migrantëve që kishin rrahur të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike” drejt BE-së që nga viti 2014.
BIRN-i i ka identifikuar 40 qendra migracioni që aktualisht veprojnë në krejt Ballkanin Perëndimor, të cilat përfshijnë rreth 15 objekte që janë ndërtuar rishtas, ose janë përmirësuar ndjeshëm me fonde të BE-së që nga viti 2015. Objektet e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës kanë kapacitet për mbi 8.000 migrantë dhe azilkërkues.
Serbia operon qendra pritjeje dhe azili me hapësira deri në 6.000 persona, ndërsa rrjeti boshnjak i objekteve të pritjes, azilit dhe migracionit mund të strehojë rreth 2.600 persona. Që nga fillimi i viteve 2000, disa vende të Ballkanit kanë pasur marrëveshje ‘ripranimi’ me vendet e BE-së.
Këto marrëveshje dypalëshe tashmë funksionojnë si mjete për deportimin e shtetasve të vendeve të treta nga BE-ja në kufijtë e saj në të ashtuquajturat Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Serbia.
“Kemi arsye të shqetësohemi për vendet e Ballkanit Perëndimor që potencialisht mund të bëhen (qendra kthimi) – sidomos vendet fqinje në lindje. Ne patjetër mund të bëhemi një lloj qendre”, ka thënë për BIRN-in Emir Prçanoviq, drejtor ekzekutiv i OJQ-së së ndihmës ligjore, “Vasa Prava”, me seli në Sarajevë.
Që nga kriza e migracionit e vitit 2015 e tutje, BE-ja ka ndarë dhe shpërndarë qindra miliona euro për vendet e Ballkanit Perëndimor në fondet e para-anëtarësimit dhe Instrumentit për Ndihmë Para-anëtarësimi (IPA), të orientuara drejt menaxhimit të migracionit, mbikëqyrjes së kufijve, infrastrukturës së pritjes dhe kapacitetit të kthimit në krejt Ballkanin Perëndimor.
Me shpresën se do të anëtarësohen në BE-në në të ardhmen, vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu i kanë përshtatur politikat lidhur me migracionin me ato të bllokut evropian.
Birgit Sippel, anëtare e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, e cila ka shërbyer si eurodeputete që nga viti 2009, i ka thënë BIRN-it se “migracioni dhe kontrolli kufitar janë bërë gjithnjë e më shumë kushte të lidhura me procesin e zgjerimit të BE-së. “Të dyja tani po zhvillohen krah për krah, edhe pse janë qenësisht kundërthënëse”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se qendrat e kthimit, të cilat ajo dhe partia e saj i kundërshtojnë, “nuk mund të jenë brenda vendeve kandidate, sepse ato vende do të bëhen shtete anëtare”. Sippel ka shpjeguar se nëse gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor bëhen anëtare të BE-së “nuk do të ketë më një qendër kthimi në një vend të tretë, por do të jetë një qendër kthimi brenda Bashkimit Europian”.
Qendrat e migrantëve në Shqipëri, Bosnjë, dhe Serbi Megjithatë, tashmë ka marrëveshje të ngjashme ndërmjet disa vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, kanë nënshkruar një marrëveshje më 2023 që ia lejonte Italisë të ndërtonte qendra migrantësh në Shqipëri për migrantët e shpëtuar nga Italia në ujërat ndërkombëtare. Planifikohej që migrantët dhe azilkërkuesit të dërgoheshin në Shqipëri derisa kërkesat e tyre të përpunoheshin nën juridiksionin italian.
Por plani u përball me një sërë pengesash, pasi gjykatat italiane dhe europiane urdhëruan vazhdimisht autoritetet t’i dërgonin migrantët në Italinë kontinentale.
Siç raportoi BIRN-i, qendrat e azilit të Italisë në Shqipëri rezultuan se kushtonin më shumë sesa ishte planifikuar fillimisht dhe shumë më tepër sesa objektet e ngjashme në Itali, derisa njëkohësisht mbetën kryesisht bosh pasi çështjet u bllokuan në gjykata.
Serbia gjithashtu arriti marrëveshje trepalëshe të ngjashme me Hungarinë dhe Austrinë kur në nëntorin e vitit 2022 të tri vendet nënshkruan një memorandum mirëkuptimi. Ideja ishte që Hungaria e Austria t’i dërgonin azilkërkuesit e refuzuar në Serbi, e cila nga ana tjetër do t’i deportonte ata ose në vendet e origjinës, ose në vende të treta, me të tri vendet që ndanin kostot.
Si pjesë e marrëveshjes, vendet e BE-së u zotuan ta ndihmonin Serbinë t’i forconte kufijtë e saj, veçanërisht në jug, duke forcuar kontrollin e vijës kufitare ndërmjet Serbisë e Maqedonisë së Veriut, duke dërguar oficerë policie austriakë në Serbi. Sipas Eurostat-it, ndërmjet viteve 2016 e 2025, Austria dëboi rreth .,086 persona në një vend të tretë pos vendit të origjinës.
Emigrantët e refuzuar ishin nga Afganistani, Bangladeshi, Kina, Kolumbia, Egjipti, Iraku, Jordania, Libani, Maroku, Pakistani, Palestina, Shri-Lanka, Sudani, Siria, Turqia e Venezuela. Më shumë se gjysma e urdhrave u lëshuan nga viti 2022 deri në vitin 2025.
BIRN- ka pyetur pyeti Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë se në cilat “vende të treta” ishin dërguar këta persona, por Ministria nuk e dha informacionin e kërkuar.
Shkeljet e të drejtave të njeriut Sipas marrëveshjes Austro-Hungari-Serbi, migrantët thuhet se kthehen shumë shpejt, me procesin që zhvillohet brenda më pak se 48 orësh, ka thënë për BIRN-in organizata joqeveritare “KlikAktiv”.
Kjo ngre shqetësime në mesin e organizatave të të drejtave të njeriut nëse migrantët kanë kohë të mjaftueshme për qasje domethënëse në procedurat e azilit, ndihmën ligjore, shërbimet e përkthimit dhe mundësinë e kundërshtimit të urdhrave të deportimit përpara se të largohen.
“Për ripranimin, qeveria hungareze duhet të dërgojë një email zyrtar në policinë serbe”, ka treguar Milica Svabiq, një avokate në “KlikAktiv”. Por Svabiq ka thënë se anipse Hungaria kishte deportuar zyrtarisht vetëm dy shtetas turq bazuar në ripranim në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, jozyrtarisht mijëra njerëz janë kthyer mbrapsht.
Organizatat ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar për vite me radhë për shkeljet e të drejtave të njeriut me të cilat përballen azilkërkuesit dhe migrantët në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga shtyrjet e dhunshme nga policia dhe cenueshmëria ndaj bandave të krimit të dhunshëm, kushtet e këqija në qendrat e migrantëve dhe procesi i padrejtë ligjor.
Në një rast të profilit të lartë që u dërgua në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Waleed (që nuk është emri i tij i vërtetë) arriti të hynte në Hungari nëpërmjet kufirit serb pasi u largua nga Siria.
Megjithatë, për habinë e tij të madhe, ndryshe nga të tjerët që u ishte lejuar hyrja më parë, atij dhe dy personave të tjerë që ishin me të iu tha të ktheheshin pasi iu refuzuan kërkesat e tyre për azil. “Më duhej të qëndroja në Serbi, ku fatmirësisht takova një avokat i cili më ndihmoi ta dërgoja rastin në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut”, i ka thënë ai BIRN-it në telefon.
Në nëntorin e vitit 2022, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut nxori verdiktin se Hungaria kishte shkelur Nenin 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut duke i detyruar të ktheheshin në Serbi kundërligjshëm dhe duke e konsideruar Serbinë vend të sigurt kthimi, pavarësisht gjetjeve të atëhershme nga agjencia e OKB-së për refugjatët UNHCR se “azilkërkuesit e kthyer në Serbi vërtet rrezikonin të mos mbroheshin nga kthimi në Maqedoninë e Veriut dhe më pas në Greqi”.
Qendrat ekzistuese të migrantëve në Shqipëri, Bosnjë e Serbi shpesh shkelin të drejtat e njeriut dhe ngjajnë me burgje, ku ata që janë brenda kanë shumë pak kontakt me botën e jashtme, sipas organizatave ndërkombëtare dhe vendase të të drejtave të njeriut, përfshirë “Human Rights Ëatch”, Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit dhe Projektin Global të Mbajtjes.
Anna Gruber, drejtuese e avokimit në OJQ-në “Collective Aid”, ka spikatur shembullin e qendrës së migrantëve Lukavica në Bosnjë, ku mbahen qindra migrantë, por aktivistëve nuk u lejohet qasja. Duke cituar një raport të bazuar në dëshmitë e migrantëve në qendra kthimi, Gruber i ka thënë BIRN-it se qendra “është burg”.
Prçanoviq, drejtuesi i OJQ-së së ndihmës ligjore “Vasa Prava” me seli në Sarajevë, ka dhënë një deklaratë të ngjashme me të Lukavicës. “Qendra e mbajtjes është një strukturë e ngjashme me qendra paraburgimi, ku komunikimi me botën e jashtme është në thelb i kufizuar. Keni të drejtë të bëni një telefonatë, nëse keni informacion se kë të kontaktoni”, ka treguar Prçanoviq.
“Këto janë të drejta që burojnë nga dispozitat e legjislacionit në vetvete. Por nëse nuk nuk keni njohuri për to, dhe nëse nuk ju ofrohen konkretisht, për shembull një fletëpalosje, poster a mundësitë që t’i dini dhe që të paraqisni aspekte të caktuara të të drejtave procedurale, atëherë e gjithë kjo mbetet vetëm një iluzion”, ka shtuar ai.
Prçanoviq ka shtuar se nga rreth 1.000 personat sa janë ndaluar në Lukavica, “brenda një viti, zakonisht rreth 30 persona në vit janë në gjendje të ofrojnë disa prova ose të kërkojnë ndihmë ligjore për të kundërshtuar ndalimin e tyre”.
Ai ka shtuar se me legalizimin e deportimit në vendet e treta dhe krijimin e qendrave të kthimit, rajoni “patjetër do të ketë një numër njerëzish që janë, si të thuash, të bllokuar, gjë që gjithashtu potencialisht do të shkaktojë rritje të numrit të individëve që kërkojnë azil në vendet përkatëse, pavarësisht nëse janë kthyer në Bosnjë a Serbi”, apo në ndonjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor.
Kjo, sipas tij, do të “zgjeronte” sistemet kombëtare të azilit në rajon, sepse ato “nuk janë të pajisura me kapacitetin njerëzor që të përballen me një fluks masiv të azilkërkuesve, sidomos duke ditur se çdo vendim individual duhet të vendoset individualisht. “Asnjë qeveri e vetme në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk ka kapacitetet për një sistem të tillë.
Dua të them, Kosova nuk mund t’i pranojë 1.500 azilkërkues. Në Bosnjë kemi qendrat e pritjes, kemi shtretërit, por nëse numri rritet, sistemi do të vihet në një situatë serioze të vështirë”,ka paralajmëruar ai.
Lidhur me qendrat e kthimit, BIRN-i u ka dërguar pyetje të gjitha qeverive në Ballkanin Perëndimor, si dhe qeverive gjermane, holandeze, spanjolle dhe franceze, por asnjëra prej tyre nuk ka kthyer përgjigje deri në kohën e publikimit të shkrimit. Artikulli fillimisht është publikuar në gjuhën angleze në Balkan Insight . Nga anglishtja: Rexhep Maloku – Kallxo.com
