Rasti Julian Alvarez vazhdon të ngjallë polemika. Sulmuesi argjentinas është tani në qendër të një mundje krahu me Atletico Madrid, të cilët janë të vendosur të mos e lehtësojnë largimin e tij, veçanërisht drejt Barcelona-s, klubit që lojtari e ka treguar si destinacionin e tij të preferuar.
Kjo situatë shkaktoi edhe një reagim nga Christophe Dugarry, ish-kampion bote me Francën në 1998-ën, i cili tha në programin Rothen s’enflamme në RMC: “Lojtari dhe përfaqësuesit e tij u treguan idiotë. Si mund të thuash ‘Dua të largohem nga klubi’? Kjo nuk është mënyra më e mirë për t’u larguar. Duhet të heshtësh, të luash, të jesh i zgjuar në komunikim”.
Sipas ish-sulmuesit, Alvarez duhej të kishte shmangur një përballje të hapur me klubin dhe tifozët: “A nuk e di çfarë ndodhi me Griezmannin? A nuk e njeh trajnerin tënd? Nuk i njeh tifozët?”. Megjithatë, Dugarry kritikoi gjithashtu qëndrimin e Atlético-s, duke besuar se mbajtja e një lojtari të pakënaqur mund të jetë një gabim: “Një lojtar që dëshiron të largohet duhet të lihet i lirë.
Përndryshe, kjo krijon më shumë probleme. Respekti është i nevojshëm nga të dyja palët”. Ish-lojtari i kombëtares franceze më pas përsëriti mendimin e tij mbi qëndrimin e argjentinasit: “Kur dëshiron të arrish një marrëveshje, gjëja e parë që duhet të bësh është të mos pështysh mbi klubin dhe tifozët. Mënyra se si e bëri ishte e gabuar dhe tani po kthehet kundër”.
Së fundmi, një parashikim për të ardhmen e afërt të ish-lojtarit të Manchester City: “Ai do të duhet të punojë shumë. I ka krijuar vetes një situatë të panevojshme dhe do ta ketë të vështirë ta ndryshojë. Çfarë gabimi i madh”.
