Shaban Tërstena, sportisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, është krenarë me suksesin e madh të mundësve shqiptarë që përfaqësuan Maqedoninë e Veriut. Kampioni olimpik dhe nënkampioni olimpik, legjenda e mundjes Tërstena, shpreh fjala të mëdha për mundësit Fati Vejseli dhe Rexhep Hajdari. “Dy medalje, dy argjendë – një krenari e artë!
Dy sportistë nga Maqedonia – Fati Vejseli dhe Rexhep Hajdari – me gjakun arbnor, shkruan një faqe të re në historinë e sportit në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”! Në tapetin e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, Fati Vejseli dhe Rexhep Hajdari luftuan me zemër, me dinjitet dhe me shpirt kampioni deri në finalen e madhe. Ata nuk u dorëzuan asnjë çast.
Me sakrificë, djersë, mund dhe forcë, e kurorëzuan këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm me dy medalje të argjendta. Por pas kësaj dite të madhe sportive, duhet thënë edhe një e vërtetë që nuk duhet harruar.
Është e drejtë që publiku dhe sportdashësit ta dinë se, sipas asaj që është bërë e ditur, Komiteti Olimpik i Maqedonisë dhe Federata e Mundjes nuk kanë të drejt të krenohen ,sepse nuk kanë dhënë mbështetjen e duhur për përgatitjet e këtyre dy sportistëve për Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Madje, sipas informacionit të bërë publik, edhe bursa mujore sportive nuk u është dhënë Fatit dhe Rexhepit për këtë periudhë. Këto dy medalje nuk i morën dhuratë. Ato e fituan në tapet! U fituan me djersën e tyre, me sakrificën e tyre, me mundin e tyre, me besimin e tyre dhe me zemrën e tyre luftarak.
Dhe për këtë sukses të madh, është një njeri që meriton falënderim dhe mirënjohje të veçantë: kryetari i klubit, Imer Kadriu. Ai ishte pranë tyre atëherë kur mbështetja ishte më së shumti e nevojshme. Ai besoi te Fati dhe Rexhepi dhe, me mjetet e tij personale, kontribuoi në financimin e përgatitjeve të tyre për këtë garë të madhe.
Ky është sporti i vërtetë: të besosh te sportisti edhe atëherë kur të tjerët mungojnë. Prandaj, sot duhet të kujtojmë jo vetëm dy medaljet, por edhe sakrificën e atyre që punuan në heshtje, që besuan dhe investuan, në mënyrë që këta dy sportistë të ishin të gatshëm për ditën e madhe. Fati dhe Rexhepi, ju nuk fituat vetëm dy medalje të argjendta.
Ju fituat respektin, dashurinë dhe krenarinë e një populli të tërë! Keni bërë krenare familjet tuaja, Shkupin dhe të gjithë sportdashësit që jetojnë këtu në Maqedoni, si dhe të gjithë ata që besojnë tek ju. Për ne, ju nuk jeni vetëm fituesit e dy medaljeve të argjendta që sot i mbani me krenari në gjoks e juaj. Për ne ju jeni kampiona! Për ne ju jeni fitues të artë.
Shkupi ju pret me krenari dhe me duartrokitje. Me respekt, Kampioni Olimpik dhe fitues i tri medaljeve të arta në Lojërat Mesdhetare – 1983, 1987 dhe 1991”, ka shkruar Tërstena.
