Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vdekjes së Eqrem Kryeziut. Bajrami ka shprehur pikëllimin e saj për ndarjen nga jeta të Kryeziut, të cilin e ka cilësuar si intelektual, profesor universitar, veprimtar politik dhe koleg të çmuar në LDK.
Ajo ka vlerësuar kontributin e tij në jetën akademike, politike dhe shoqërore të Kosovës, veçanërisht në Prizren, qytet të cilit Kryeziu i shërbeu edhe si kryetar. “Eqrem Kryeziu i dha shumë jetës akademike, politike e shoqërore të Kosovës, e në veçanti Prizrenit, të cilit i shërbeu edhe si kryetar.
Do të kujtohet për kulturën, pastërtinë, urtësinë dhe përkushtimin e tij ”, ka shkruar Bajrami në Facebook. Deputetja u ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu, miqve dhe bashkëveprimtarëve të tij në LDK. “U prehsh në paqe, profesor! ”, ka përfunduar Bajrami.
