Një vjedhje e rëndë, me Rolex, stoli me diamante dhe mijëra euro para të gatshme, që sipas pronarëve kap vlerën deri në 90 mijë euro, ka marrë kthesë pas më shumë se një muaji hetimesh. Policia ka arritur ta kapë njërin nga personat që dyshohet se qëndron pas rastit, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i arrestuari është V.
K., rreth 24-vjeçar, i cili ishte identifikuar gjatë hetimeve dhe më pas ishte vendosur në kërkim policor. Vjedhja kishte ndodhur natën e 15 korrikut, rreth orës , në një banesë në katin e nëntë të një objekti në rrugën “Bajram Murati”, në zonën e rrugës “Muharrem Fejza” në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dy persona të maskuar dhe me doreza dyshohet se kishin hyrë në banesë dhe ishin larguar prej aty me një “plaçkë” jashtëzakonisht të vlefshme. Vetëm dy orët Rolex, sipas ankuesve, kishin vlerë rreth 50 mijë euro.
Nga banesa dyshohet se u morën edhe 5 mijë euro cash, tre zinxhirë ari të qafës, pesë zinxhirë ari të orës, një zinxhir me diamante, një palë vathë me diamante dhe katër zinxhirë për meshkuj – njëri prej tyre po ashtu me diamante. Në listën e gjësendeve të vjedhura figurojnë edhe tre parfume me vlerë rreth 400 euro. Në total, pronarët e kanë vlerësuar dëmin në 85 deri në 90 mijë euro.
Pas raportimit të rastit, hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë nisën punën për identifikimin e personave të dyshuar. Hetimet çuan te K., i cili u identifikua si një nga të dyshuarit dhe u vendos në kërkim policor. Më shumë se një muaj pas vjedhjes, kërkimi mori fund.
Më 25 gusht, 23-vjeçari është ndaluar nga zyrtarët e Stacionit Policor Jugu dhe më pas është shoqëruar në ambientet e Hetimeve, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës. Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që V. K. të ndalohet për 48 orë. Hetimet për vjedhjen e rëndë dhe personin tjetër të dyshuar vazhdojnë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!