Një denoncim i rëndë i një vajze të mitur ka vënë në lëvizje Policinë dhe Prokurorinë, duke çuar në arrestimin e një 19-vjeçari, i cili tashmë po hetohet nën dyshimin për veprën penale “Dhunimi”, raporton Sinjali. Rasti dyshohet se ka ndodhur disa muaj më parë në fshatin Kishnapolë të Gjilanit, por është raportuar tek organet e rendit më 24 gusht.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është E.S., rreth 19-vjeçar. Gjithçka doli në dritë pasi e mitura, e shoqëruar nga prindi i saj, u paraqit në Stacionin Policor në Shtime dhe tregoi para organeve të drejtësisë atë që pretendon se i kishte ndodhur rreth dy apo tre muaj më parë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, e mitura është intervistuar nga Prokurori për të Mitur dhe ka deklaruar se në kohën kur dyshohet se ndodhi ngjarja kishte shkuar në shtëpinë e të dyshuarit në Kishnapolë, ku kishte qëndruar gjatë natës. Pikërisht gjatë këtij qëndrimi, sipas deklarimit të saj, 19-vjeçari dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të pa pëlqimin e saj.
Denoncimi ka aktivizuar hetuesit rajonalë, të cilët pas veprimeve policore kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarin dhe ta shoqërojnë për intervistim. Por gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari ka dhënë një version tjetër për atë që kishte ndodhur mes tyre.
Sipas informacioneve të Sinjalit, në praninë e avokatit mbrojtës, 19-vjeçari ka pranuar se kishte pasur marrëdhënie seksuale me të miturën, por ka pretenduar se ajo kishte ndodhur me pëlqimin e të dyve.
Kështu, hetuesit tashmë kanë përpara dy deklarime të kundërta lidhur me një element thelbësor të rastit, ndërsa verifikimi i tyre dhe i provave të tjera do të jetë pjesë e hetimeve të mëtejshme. Viktimës së mitur i është ofruar edhe ndihmë mjekësore nga Qendra Emergjente në Ferizaj.
Për rastin është vënë në dijeni Prokurori kujdestar, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore. Pas procedurave, rasti është iniciuar për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa me vendim të Prokurorit, E.S. është dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të rastit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
