BSPK: Jeta e punëtorit nuk negociohet, vdekja në vendin e punës nuk

0%

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka kërkuar forcimin e masave për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në KEK, duke theksuar se aksidentet në vendin e punës duhet të parandalohen dhe jo vetëm të hetohen pasi të ndodhin.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, së bashku me drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të Energjetikës së Kosovës (SPEK), zhvilloi të hënën takim me drejtuesit e KEK-ut, ku u diskutua për rastet fatale në vendin e punës dhe masat për rritjen e sigurisë.

Hykolli kërkoi mbikëqyrje më të madhe profesionale, kontrolle të rregullta mjekësore, pajisje të mjaftueshme mbrojtëse, mirëmbajtje të vazhdueshme dhe trajnime profesionale për punëtorët. BSPK dhe SPEK kërkuan gjithashtu krijimin e një mekanizmi profesional për parandalimin e aksidenteve dhe forcimin e Qendrës së Trajnimeve të KEK-ut.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga KEK-u është bërë e ditur se janë shtuar masat e sigurisë në punë, janë zgjeruar trajnimet profesionale dhe po zbatohen kontrolle të rregullta mjekësore për punëtorët. Sipas Korporatës, në rastet kur një punëtor humb jetën në vendin e punës, familja e tij përfiton përkujdesje të përhershme ekonomike në vlerën e pagës mujore që ka marrë punëtori.

BSPK ka theksuar se kjo masë është e rëndësishme për familjet, por ka nënvizuar se përgjegjësia kryesore mbetet parandalimi i humbjes së jetës. “Vdekja e punëtorit në vendin e punës nuk guxon të politizohet. Çdo rast fatal kërkon hetim profesional, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete parandaluese”, ka deklaruar Hykolli.

Në takim u diskutua edhe për pajisjet mbrojtëse, shujtën e punëtorëve, mbrojtjen ekonomike të punëtorëve të lënduar dhe nevojën për rregullimin e marrëdhënieve të punës me kontratë kolektive. Palët janë pajtuar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe trajtimin e çështjeve të ngritura. “Jeta e punëtorit nuk negociohet. Siguria e tij nuk shtyhet.

Vdekja e tij nuk politizohet”, thuhet në përfundim të komunikatës së BSPK-së.

Burimi: Bota Sot