Kombëtarja e Kosovës në volejboll për femra ka regjistruar edhe fitoren e dytë radhazi në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026. Dardanet triumfuan ndaj Maqedonisë së Veriut me rezultat 3-1 në sete, në një ndeshje të luftuar dhe me paraqitje shumë të mirë të skuadrës kosovare. Kosova e fitoi setin e parë me rezultat 30-28, ndërsa në të dytin ishte edhe më bindëse, duke triumfuar 25-17.
Maqedonia e Veriut reagoi në setin e tretë dhe e fitoi atë 25-19, por vajzat kosovare u rikthyen fuqishëm në setin e katërt, të cilin e fituan 25-16 për ta mbyllur ndeshjen 3-1. Kjo është fitorja e dytë e Kosovës në po aq ndeshje në këtë garë, pasi në sfidën e parë Dardanet kishin mposhtur Algjerinë.
Me dy fitore radhazi, Kosova po tregon formë të shkëlqyer dhe një mentalitet të fortë në Lojërat Mesdhetare, duke e bërë një nisje shumë premtuese të garës.
