Ç’ka shihni nuk është sekuencë e ndonjë filmi aksion, por pamje reale, e xhiruar nga një kamera sigurie në Mullet, Tiranë. Teksa tre të rinj janë ulur në verandën e një lokali, ballë tyre ndalet një automjet. Drejtuesi i tij zbret në tokë dhe qëllon pistoletë në ajër për të kanosur një të rinjve në bar.
Sipas Policisë së Tiranës, personi që ka qëlluar me municion luftarak është 53-vjeçari Fatjon Çeliku. Pas njoftimit për të shtënat, efektivë të Komisariatit Nr. 1 të kryeqytetit e lokalizuan dhe arrestuan, si edhe i bllokuan armën, që rezultoi se e mbante pa leje. Sipas Policisë, 53-vjeçari Çeliku ka qëlluar me armë zjarri për të kanosur 23-vjeçarin me iniciale A.
H., që shërbente në lokal. Kjo për faktin se pak çaste para ngjarjes, teksa kishte shkuar si klient, i riu nuk kishte pranuar t’i shërbente atij alkool, për shkak se Çeliku njihej si person problematik. Ndërhyrja e Policisë parandaloi përshkallëzimin e situatës, ndërsa 53-vjeçari do të referohet në Prokurori për veprat penale të “kanosjes” dhe të “armëmbajtjes pa leje”.
Po të hënën, Policia e Kuçovës arrestoi 32-vjeçarin me iniciale A. Ç., pas dyshimeve se të dielën ka qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti të parkuar në lagjen “1 Maji” të këtij qyteti, me qëllim kanosjen e pronarit të saj. Në pranga përfundoi edhe një 49-vjeçar, i akuzuar si përkrahës i të riut dhe për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës./A2 CNN
