Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ua ka dorëzuar dekretin e shtetësisë së Kosovës sot më , ish-kongresmenit amerikan Joe DioGuardi dhe bashkëshortes së tij, aktivistes Shirley Cloyes DioGuardi.
Me këtë rast, Haxhiu ka vlerësuar kontributin e çiftit DioGuardi në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht gjatë viteve kur Kosova ende nuk ishte shtet. Haxhiu tha se Kosova është shtet i ri, por se para se të fitonte lirinë dhe të bëhej shtet, kishte njerëz që i dolën zot. “Ndaj ne e kemi për detyrë të mos harrojmë kush janë ata njerëz.
Joe dhe Shirley DioGuardi janë ndër ata miq që Kosova i pati pranë para se emri i saj të zinte vend në agjendën e politikës amerikane”- tha Haxhiu. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu Ajo përmendi edhe prejardhjen arbëreshe të Joe DioGuardit dhe angazhimin e tij politik për çështjen shqiptare.
“Përkushtimi juaj ndaj çështjes shqiptare kishte pas vetes një trashëgimi shumë më të vjetër se jeta juaj politike. Ajo vinte nga familja juaj arbëreshe, nga Greci i Italisë, prej një bashkësie që, shekuj pasi ishte shkëputur nga trojet e të parëve, vazhdonte ta ruante shqipen, kujtesën e prejardhjes dhe lidhjen me botën shqiptare”- tha Haxhiu.
Haxhiu përmendi edhe themelimin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në vitin 1989, duke thënë se angazhimi i DioGuardit vazhdoi edhe pas përfundimit të mandatit të tij në Kongres.
Ajo tha se DioGuardi dhe bashkëshortja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, kishin vazhduar angazhimin për Kosovën edhe përmes shkrimeve, raporteve, dëshmive para Kongresit amerikan, takimeve me politikëbërës e diplomatë dhe paraqitjeve publike. Haxhiu veçoi edhe dëshminë e tyre në Hagë në vitin 2002, në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit të Jugosllavisë, Slobodan Millosheviq.
“Në vitin 2002 të dy shkuat në Hagë për të dëshmuar në procesin kundër Slobodan Millosheviqit, i akuzuar në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për krime kundër njerëzimit në Kosovë. Edhe atëherë, si shumë herë më parë, puna juaj ishte dëshmi”- tha ajo.
Haxhiu tha se Kosova, pas përfundimit të luftës në vitin 1999, kishte përpara një tjetër betejë për konsolidimin e statusit të saj politik dhe më pas për shtetësinë. “Faleminderit për mbështetjen e madhe që i keni dhënë Kosovës në periudha shumë të vështira.
Për mua është nder i veçantë që, para pak minutash, si ushtruese e detyrës së Presidentes, pata nderin që t’ju jap juve, zoti DioGuardi dhe zonja DioGuardi, shtetësinë e Republikës së Kosovës”- tha Haxhiu. “Ju keni qenë miq të Kosovës shumë përpara se ajo të bëhej shtet, prej sot jeni edhe qytetarë të saj.
Për mua është nder i veçantë t’jua uroj shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe t’ju them mirë se vini në mesin e qytetarëve të saj, mirë se vini në shtetin tuaj”- shtoi ajo. Shirley Cloyes DioGuardi e ka vlerësuar vendimin për dhënien e shtetësisë, duke thënë se për ta është e rëndësishme që tashmë të njihen edhe si shtetase të Kosovës.
“E vlerësojmë jashtëzakonisht shumë dhënien e shtetësisë dhe njohjen tonë si qytetarë, si shtetas të Kosovës. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Do të thotë që nuk jemi vetëm qytetarë nderi, por edhe shtetas të Kosovës”- tha ajo. Ajo ka folur edhe për rolin e shqiptarëve të Amerikës në mbështetjen e Kosovës dhe për angazhimin e tyre gjatë viteve të luftës dhe pas saj.
Shirley DioGuardi tha se ajo dhe Joe DioGuardi ishin takuar në vitet ’90 dhe se kishin punuar për vite me radhë që Kosova të arrinte pavarësinë. “Kemi punuar për vite të tëra që Kosova të arrijë pavarësinë e saj më ”- tha ajo.
Ajo tha se tashmë, në vitin 2026, është e rëndësishme që të kujtohet rruga që është kaluar dhe përpjekjet që janë bërë për kundërshtimin e politikës së Slobodan Millosheviqit.
“Është e rëndësishme që sot të jemi bashkë, që të kthehemi prapa në histori dhe të kuptojmë se sa përpjekje janë dashur për të kundërshtuar Millosheviqin dhe tani për të arritur në këtë moment, në vitin 2026, ku mund të marrim vendime se si mund të shkojmë më tutje”- tha DioGuardi. Joe DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit Ajo falënderoi Haxhiun që i ka bërë pjesë të këtij procesi.
“Edhe njëherë duam t’ju falënderojmë që na keni bërë pjesë të këtij procesi, pjesë të familjes suaj”- tha ajo. Joe DioGuardi, në fjalën e tij pas marrjes së shtetësisë, tha se krijimi i shtetit të Kosovës ka qenë një proces i ndërlikuar. “Ka qenë kaq e ndërlikuar që të bëhet një shtet si Kosova. Tani duam që ta kemi një Kosovë kombëtare.
Nuk na nevojitet vetëm një shtet, na nevojitet një komb”- tha DioGuardi. Ai shprehu shqetësimin për atë që e konsideroi si kërcënime ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. “Dhe ai komb tani po sulmohet nga armiqtë e shqiptarëve.
Dhe ne jemi këtu sepse tani për tani, ligjërisht, dikush mund të argumentojë që shteti i Kosovës nuk ekziston për shkak të mënyrës se si janë zhvilluar gjërat, për shkak të zgjedhjeve dhe të gjitha gjërave të tjera. Nuk më pëlqen ta them këtë, por duhet të jemi të kujdesshëm”- tha ai.
DioGuardi foli edhe për prejardhjen e tij dhe fëmijërinë në Nju Jork, duke treguar për familjen dhe vështirësitë me të cilat ishte përballur gjatë fillimeve të tij në politikë. Ai tha se Kosova nuk duhet ta marrë si të mirëqenë atë që ka arritur deri më tani. “Kjo nuk ka qenë e lehtë. Kështu që mos e merrni si të mirëqenë”- tha DioGuardi.
Duke folur për situatën politike në Kosovë, ai tha se vendi duhet të ketë institucione funksionale. “Unë jam këtu me Shirley-n për t’u siguruar që ju keni president dhe ose presidente dhe shpresoj që kjo do të ndodhë para se të largohem.
Dhe nëse nuk ndodh, do të jeni në vështirësi shumë të mëdha, sepse tashmë keni armiq të cilët e kanë për synim të shkaktojnë probleme të tilla në Ballkan”- tha DioGuardi. “Kjo tani nuk është koha që të flemë. Është koha që ta mbroni vendin, që dikush tjetër të mos ua marrë”- përfundoi ai.
