Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique u shfaq i kënaqur në konferencën për shtyp pas barazimit 2-2 ndaj Rennes. Ndeshja u komplikua shumë për parisienët, të cilët 20 minuta para fundit ishin në disavantazh 2-0. Më pas doli në skenë afrimi i fundit, Ferran Torres, i cili ishte menjëherë vendimtar me një dygolësh. “Nuk luajti keq, apo jo?
Shënoi dy gola, por jam i kënaqur me të gjithë lojtarët që hynë në një ndeshje shumë të vështirë” , tha trajneri spanjoll. Luis Enrique shtoi më tej: “E patëm shumë të vështirë ta kontrollonim Rennes në pjesën e parë. Ata u treguan të zotë në kundërsulme dhe i shënuan dy gola të mrekullueshëm. Ishte e vështirë, por për mua është e rëndësishme të shoh se shumë lojtarë janë gati.
A vuajtëm njësoj si ndaj Lens në Kupë? Jo, aspak. Është ndryshe. Ndeshja ndaj Lens ishte shumë e bukur. Sot jo. Kishte një ndryshim të madh në ritëm. Në Ligue 1 duhet të jesh më i përgatitur dhe më i vëmendshëm. Është vetëm java e parë dhe ka ende hapësirë për përmirësim”.
Duke folur për afrimet e reja, Luis Enrique u shpreh shumë i kënaqur me “pazarin” veror të zhvilluar nga Campos dhe drejtuesit e klubit: “Ne përpiqemi vazhdimisht t’i gjejmë lojtarët më të mirë për çdo ndeshje. Është më e vështirë krahasuar me vitin e kaluar dhe kjo është ambicia jonë.
Mendoj se e kemi bërë një ‘merkato’ shumë të mirë verore dhe jemi ende të hapur ndaj mundësive të ndryshme. Të gjithë e dinë se sa e vështirë është për një skuadër të fitojë gjithmonë. Dhe është e qartë se duhet të përmirësohemi ende”. Në fund, Luis Enrique foli edhe për Ousmane Dembélén, i zëvendësuar pas një pjese të parë jo shumë të mirë: “Ky është futbolli. Futbolli është kështu.
Paris Saint-Germain nuk ka fituar asgjë, asgjë. Nëse mendon për atë që ke fituar, nuk do të fitosh asgjë! Nuk ka vend për gabime. Duhet të tregosh çdo ditë, në çdo ndeshje, në çdo stërvitje, se je gati. Përndryshe, është e lehtë të relaksohesh dhe të rrëshqasësh. Unë nuk kam lindur kështu.
Ne gjithmonë përpiqemi të fitojmë dhe, për të fituar gjithmonë, duhet të dalësh nga zona jote e rehatisë. Është e qartë?”
