Kreu i PD, Sali Berisha duke komentuar zhvillimet brenda qeverisë, u shpreh se ndryshimet në kabinet nuk do të mjaftojnë për të bindur qytetarët shqiptarë. Berisha përsëriti kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se kjo është rruga për zgjidhjen e krizës politike. “Ne nuk u rrezitëm gjatë kësaj vere, as në jahte, as në skafe. Ne kemi vazhduar punën dhe do vazhdojmë.
Strukturat tona mblidhen këtë javë e në vazhdim. Sa i përket qeverisë, mendoj se Balluku BIS, qeveria Balluku, mendoj se me asnjë ndryshim të saj nuk mund të mashtrojë qytetarët shqiptarë. Qytetarët kanë gati 90 ditë, PD ka vite që kërkon dorëheqjen dhe largimin e tij. Zgjidhja e kësaj krize të frikshme, është largimi dhe dorëheqja e tij e menjëhershme.”, tha ai.
Kreu i opozitës foli edhe për ndryshimet brenda Partisë Demokratike, duke theksuar se procesi i reformimit të partisë do të vijojë. Berisha komentoi gjithashtu qëndrimin e PD-së ndaj Parlamentit, duke përjashtuar mundësinë e një bojkoti të institucionit. “Partia duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë. Ky është një proces do të vazhdojë. PD e ka të përjashtuar me statut bojkotin.
Të gjitha qëndrimet e tjera janë në tryezë përveç bojkotit. Ne jemi të përcaktuar, nëse nuk marrim pjesë në një apo dy seanca ky nuk është bojkot. Por vendim për tu larguar nga parlamenti nuk marrim”, tha Berisha.
