Pas mbylljes së USAID shumë njerëz humbën punën në Prishtinë –

0%

Mbyllja faktike e USAID-it nga presidenti Donald Trump ka pasur pasoja në shumë vende – përfshirë Kosovën. Shumë njerëz mbetën pa punë. Donatorë pothuaj nuk ka. A mund të luajë një rol të ri diaspora, pyesin në platformën mediale zvicerane “Republik” dy gazetare me prejardhje nga Kosova, të cilat jetojnë në Zvicër .

Një fazë pasigurie ka kapluar shoqërinë civile në Kosovë pas vendimit të SHBA-së për të ndërprerë fondet e ndihmës ndërkombëtare përmes USAID-it. Kjo organizatë është mbyllur me vendim të presidentit amerikan Donald Trump. Siç është mbyllur edhe Zëri i Amerikës, një radio që ka qenë zë i shumëdëgjuar në shtete autokratike apo demokraci të pakonsoliduara.

Platforma mediale zvicerane “Republik”, me seli në Zürich, ka publikuar një reportazh të gazetareve Arzije Asani dhe Xhemile Asani – dy motra me origjinë nga Kosova – të cilat kanë udhëtuar drejt Prishtinës për të parë nga afër se si po mbijetojnë organizatat joqeveritare vendore dhe nëse diaspora mund ta zëvendësojë donatorët e larguar perëndimorë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Që nga përfundimi i luftës më 1999, SHBA-ja kishte investuar mbi 2 miliardë dollarë në Kosovë. Me largimin e USAID-it, shkurtimet e buxheteve nga Zvicra e shtetet evropiane, si dhe pamundësinë e BE-së për të mbuluar këtë boshllëk, sektori joqeveritar në Kosovë po përballet me një luftë të ashpër për mbijetesë që ka goditur drejtpërdrejt grupet më të ndjeshme të shoqërisë.

Pasojat e këtij tërheqjeje financiare janë të dukshme në terren. Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, i cili përfaqëson mbi 150 mijë persona, ka humbur 70 për qind të mjeteve të tij financiare, duke u detyruar të largojë nga puna gjysmën e stafit e të ndërpresë disa projekte me rëndësi.

Po ashtu, organizata për shëndet mendor QIPS, e cila menaxhon “Linjën e Jetës” si të vetmen linjë falas për parandalimin e vetëvrasjeve, ka humbur mbi 100 mijë euro përkrahje. Si rrjedhojë, shërbimi i kësaj linje emergjente është reduktuar nga 16 orë në vetëm 4 orë në ditë.

Kjo valë shkurtimesh ka goditur edhe tregun e punës, ku shumë ekspertë e punonjës të shoqërisë civile po detyrohen të punojnë nëpër call-centra për të siguruar jetesën. Përballë bllokadës politike të shtetit dhe pamundësisë së qeverisë për të mbuluar këto fonde, shumë organizata po i drejtojnë sytë nga diaspora kosovare, dërgesat e së cilës përbëjnë deri në 22 për qind të PBB-së së vendit.

Lirim Krasniqi nga organizata “Germin” vlerëson se largimi i donatorëve të mëhenj krijon hapësirë për forcat lokale, duke propozuar që mbështetja e diasporës të kalojë nga ndihma emergjente familjare në investime të mirëfillta strukturore në tregun e Kosovës.

Megjithatë, autoret e reportazhit shtrojnë dilemën se deri ku duhet të shkojë ky ndikim pa përsëritur gabimet e donatorëve të huaj, ku paraja diktonte politikat vendore.

Në fund, nënvizohet se ndihma financiare ndërkombëtare ose ajo nga diaspora nuk mund ta zëvendësojë asnjëherë krijimin e një shteti funksional social, pasi sa kohë që një vend varet nga ndihmat e jashtme, ai nuk është kurrë plotësisht i lirë.

Burimi: Telegrafi