Komuna e Mitrovicës do të përfitojë 3.3 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për realizimin e Projektit të Banimit Social Adekuat. Kryetari i Mitrovicës, Faton Pacolli, ka bërë të ditur se marrëveshja për grantin është nënshkruar me ministren në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi.
“Sot, së bashku me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, nënshkruam marrëveshjen e Grantit në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat, në vlerë prej 3.3 milionë eurosh”, ka shkruar Pacolli. Sipas tij, projekti synon mbështetjen e familjeve që kanë më së shumti nevojë dhe përfshin disa ndërhyrje në fushën e banimit social.
Në kuadër të projektit parashihet ndërtimi i 36 njësive të reja të banimit, si dhe renovimi i njësive ekzistuese të banimit social. Po ashtu, sipas kryetarit Pacolli, do të bëhet renovimi dhe rindërtimi i shtëpive private për familjet e cenueshme. Pacolli ka falënderuar ministren në detyrë për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e këtij projekti.
“Falënderoj ministren Fitore Pacolli Dalipi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë”, ka deklaruar ai. “Mirëqenia e qytetarëve është prioriteti ynë qeverisës”, ka përfunduar Pacolli. / Telegrafi
