Shpërndaje në: Të paktën 10 persona janë lënduar nga goditjet e rrufesë gjatë stuhive të fuqishme që përfshinë jugun e Gjermanisë të premten, ndërsa temperaturat e larta vazhdojnë të mbizotërojnë në vend. Ngjarja më e rëndë u regjistrua në rajonin e Baden-Wurttembergut, ku rreth 120 ekipe kishin udhëtuar për të marrë pjesë në një turne të madh të hendbollit në qytetin Rastatt.
Për shkak të motit të keq, kampingu i vendosur pranë fushave sportive u përball me erëra të forta që rrezikuan të shkulnin tendat. Rreth orës , teksa disa persona po përpiqeshin të siguronin tendat, rrufeja goditi zonën. Si pasojë, tetë të rritur dhe një fëmijë 13-vjeçar mbetën të lënduar. Njëri prej tyre pësoi lëndime të rënda, ndërsa të tjerët u trajtuan për lëndime më të lehta.
Një tjetër goditje rrufeje ndodhi në Munsingen-Dottingen, gjithashtu në Baden-Württemberg, ku u lëndua një grua 71-vjeçare. Sipas policisë, rrufeja ra pranë një tende ku ajo po përgatiste ushqim, duke i shkaktuar goditje elektrike. Gruaja u dërgua në spital për mbikëqyrje mjekësore. Stuhia shkaktoi edhe ndërprerje të energjisë elektrike në pjesë të mëdha të qytetit të Munsingenit.
Autoritetet besojnë se dy goditje rrufeje ishin shkaku i ndërprerjes, ndërsa furnizimi me energji u rikthye pas rreth 90 minutash. Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD) ka paralajmëruar mundësi për stuhi të tjera edhe gjatë së shtunës, megjithëse ato pritet të jenë më të dobëta se ato të një dite më parë.
