Pazari me pronën publike në Gjakovë

0%

Një procedurë e kompensimit të pronës private me një pronë publike që ka ndodhur para rreth 13 viteve, ka ngjallur reagimet e banorëve të lagjes “Blloku i Ri” në Gjakovë, pasi aty tashmë po ndërtohet një objekt afarist.

Prona që ishte publike përfundoi në pronësi të Ismet Isufit, ish drejtor i Bujqësisë në kohën kur Pal Lekaj ishte kryetar i Gjakovës, ndërsa Isufi tash është duke ndërtuar një objekt afarist që ka ngritur dyshime se çfarë është duke ndërtuar ai konkretisht.

Historia fillon më , kur një person me emrin Destan Krasniqi bleu një pronë në Gjakovë nga dy motrat, Shefkije dhe Shuhrete Haxhishabani. Prona prej 163 metrave katrorë gjendej në afërsi të Stacionit të Autobusëve dhe ajo nuk ishte gjë tjetër përveçse një rrugë e asfaltuar që shfrytëzohej nga të gjithë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Destani duke e ditur se prona në fjalë është rrugë, me vetëdije të plotë e blen atë nga motrat Haxhishabani. Tre muaj pasi që e blen këtë pronë, Destan Krasniqi, në tetor të vitit 2012, dorëzon një kërkesë në Komunë të Gjakovës, duke kërkuar që prona që e kishte blerë nga motrat Haxhishabani, t’i shpronësohet ose kompensohet, me arsyetimin se aty është rrugë publike dhe të njëjtën nuk mund ta shfrytëzoj.

Pasi Komuna e Gjakovës kryen procedurat e trajtimit të kërkesës përmes Avokaturës Komunale, me vendim të kryetarit të atëhershëm Pal Lekaj, me datë , merret vendim përfundimtar ku toka e blerë nga Destan Krasniqi afër Stacionit të Autobusëve shkëmbehet me një pronë publike e cila është pikërisht te tregu ditor afër shkollës “Yll Morina”.

Katër vite pasi ishte bërë shkëmbimi i pronës, fillimisht Destan Krasniqi në dhjetor të 2017-ës pronën që e kishte përfituar nga Komuna e Gjakovës e shet te personi me emrin Besfort Isufi. Ndërsa Besfort Isufi në prill të vitit 2025 këtë pronë ia falë babait të tij, Ismet Isufit.

Ismet Isufi dhe Destan Krasniqi – personi që përfitoi pronën publike nga Komuna e Gjakovës kanë një lidhje – të dy kanë punuar në organizatën joqeveritare “Qendra Kosovare për Zhvillim”.

Pra, Destan Krasniqi fillimisht bleu pronën nga motrat Haxhishabani duke e ditur që është rrugë publike, kërkoi kompensim nga Komuna e Gjakovës dhe mori një pronë në një lokacion mjaft të mirë, e më pas ia shiti Ismet Isufit.

Shefkije Haxhishabani, ish pronare e tokës thotë se nuk e njeh Destan Krasniqin dhe nuk i kujtohet nëse ajo dhe motra e saj, Shuhreti, kanë shitur pronën tek Krasniqi. “Jo nuk më kujtohet. Jemi plakë tash, gati 90 vjeçe, 85 vjet. Veç Valonin e vetni. Është në pushim, edhe 3-4 ditë nuk vjen” – ka thënë Shefkije Haxhishabani, duke kërkuar që të kontaktohet nipi i saj për këtë çështje.

Pas këtij deklarimi të zonjës Shefkije Haxhishabani se nuk i kujtohej dhe nuk e njihte Destan Krasniqin, përkundër që gjërat e tjera i kujtoheshin, si për shembull ku ka jetuar më përpara, apo ku ka punuar, ne kontaktuam Valon Haxhishabanin. Pra, skema është kështu: Destan Krasniqi e blen pronën nga Shefkije dhe Shuhrete Haxhishabani.

Pas tre muajve ai kërkon nga Komuna e Gjakovës të ia kompensojë ose shpronësojë, me arsyetimin se prona është një rrugë publike. Komuna që atë kohë udhëhiqej nga Pal Lekaj ia miraton kërkesën dhe ia kompenson pronën në fjalë me një pronë publike afër shkollës “Yll Morina” në Gjakovë. Më pas, pas disa viteve prona përfundon te ish drejtori i Bujqësisë, Ismet Isufi.

Ne kemi takuar dy vëllezërit Valon dhe Glauk Haxhishabani, të cilët janë nipat e Shefkije dhe Shuhrete Haxhishabanit, për shkak se vetë Valoni në atë kohë ishte marrë me atë çështje. Valoni dhe Glauku na thanë se Destan Krasniqi dhe Afrim Radoniqi, avokat i Komunës në atë kohë, u janë afruar dhe kanë kërkuar që të shesin pronën.

Ndërsa për dyshimet se kontrata mund të jetë e falsifikuar, për shkak se zonja Shefkije nuk e dinte që e ka nënshkruar, vëllezërit Haxhishabani këmbëngulën se kontrata është valide dhe që e kanë nënshkruar hallat e tyre. “Destani është shku njëherë te hallat, masnej ia kanë jap numrat e telefonit, se njëherë na ka thirrë njëfar Skenderi.

Jo po shihem, jo jam i interesun për pronë.. .masnej ka thirrë Destani në telefon. Tash Destani konkretisht, se atëherë unë i kam pas 22 vjeç, a din nuk kam ditë fort me i vetë kah e more numrin. ‘Jo kesh në Kadastër më kallxun’, a din qisi farë… edhe i kam pas njoftu hallat, ia kanë shitë hallat me noter. Me kontratë e me krejt, edhe ka ecë kjo punë” – ka thënë Valon Haxhishabani.

“Afrim Radoniqi iu ka thënë më mirë me e shitë, se nuk merrni kurrë kurrgjë. A din, i ka nxitë apetitet, marrë për marrë, të marrim diçka. Mënyra më e mirë është me e shitë. Demek se nuk ka kurrgjë, kompensim nuk ka” – ka thënë në anën tjetër Glauk Haxhishabani.

E ish avokati i Komunës, Afrim Radoniqi, i ka mohuar pretendimet e Valon Haxhishabanit dhe ka pretenduar se gjatë nënshkrimit të kontratës për shit-blerjen e pronës tek noteri, prezent ka qenë edhe Ismet Isufi. Pra ish drejtori i Bujqësisë tek i cili edhe përfundoi prona publike. “Jo, jo, e ka ble me Ismet Isufin. Vete, me kë je shku thuj te noteri, vete Valonin.

Me kë je shku te noteri e ke bo kontratën, edhe kush u kon prezent. Ismeti me Destanin, e din Valoni këtë punë” – ka thënë avokati Radoniqi përmes telefonit. Të përfshirë në procedurat e shpronësimit dhe shkëmbimit të pronave kanë qenë Afërdita Lama, ish drejtoreshë e Kadastrit në atë kohë, si dhe kryetari i Komunës, Pal Lekaj.

Ish drejtoresha Lama tha se ajo e ka nënshkruar procedurën, vetëm pasi që është trajtuar nga ekspertët, sa i përket shkëmbimit të pronave. “Po veç ju mundeni me i këqyrë krejt dokumentet atje. Ajo është bo me ekspertizë e me sene. Nuk është bo strikt prej meje, është kry ekspertiza, në bazë ekspertizës është dhënë është bo me kolegjium, nuk është që direkt unë e kam bo.

Mirëpo është marrë vendimi përmes kolegjiumit edhe është përcaktu” – ka thënë Lama. Ndërsa ish kryetari i Komunës, Pal Lekaj, tha se nuk i kujtohet fare se çka ndodhur, përkundër që ai e kishte nënshkruar vendimin përfundimtar për kompensim. “Jo, besom që kanë kalu shumë vite dhe… të gjitha shënimet i ke në Kuvendin Komunal, edhe as që kam ide.

Kanë shku… edhe nëse kanë shku, janë shku nëpërmjet Asamblesë Komunale. Po nuk kam ide çka është, as nuk po di, besomni. Kanë kalu që sa vite” – ka thënë Lekaj.

Në anën tjetër, ish drejtori i Bujqësisë, Ismet Isufi, tek i cili përfundoi prona publike, e ka mohuar se ka pasur një plan në mes të tij dhe Destan Krasniqit për të marrë pronën e Komunës, ndërsa thotë se me paratë që djali i tij kishte mbledhur nga puna në Gjermani, e kishin blerë pronën nga Destan Krasniqi.

Lidhja e tij me Destan Krasniqin përmes organizatës “Qendra Kosovare për Zhvillim” sipas Isufit, nuk ka ndikuar për shitblerjen e pronës në fjalë. “Përndryshe, ngom, unë e kam marrë se djali e ka ble, është moti kjo punë… djali punon jashtë… përndryshe, çdo gjë çka keni, e keni në kadastër, në urbanizëm.

Çdo gjë, çka të intereson mundesh me këqyr aty, edhe i keni dokumentet” – ka thënë Isufi. “Jo. Nuk kam punu. Nuk kam punu unë me me Destanin. Edhe, domethënë, një kohë ai ka punu aty. Ai punon jashtë, a ku punon, tash nuk e di, se që 10-12 vjet nuk kam ndonjë kontakt me të.

Kështu që, çdo send me dokumente është në mënyrë shumë të rregullt, është konstatu, janë në kadastër, në urbanizëm, janë hulumtu… Tash s’po di kush ka porosit apo ndonjë send, por nuk është diçka. Çdo gjë çka të intereson për këtë pronë është krejt në mënyrë legale, në rregull.

Janë institucionet që e kanë shqyrtu, se ka pas njerëz të caktuar me tendenca, ndonjë gjë me bo afera kishe po mundohem me bo diçka. Atëherë e kishim bo mundësinë ndonjë gjë, por çdo gjë është në rregull”.

Ndërsa Destan Krasniqi, personi që bleu fillimisht pronën nga motrat Haxhishabani, nuk ka dhënë informata se ku ka qenë interesi i tij që të blejë një pronë publike, si dhe nuk ka treguar se pse ka kërkuar nga Komuna e Gjakovës që të ia kompensojë pronën, vetëm tre muaj pasi që e kishte blerë atë. “Unë gjendem në Gjermani zotëri. Këto çka ke shkru mundem të përgjigjem.

Unë atë e kam blerë, atë pjesë, mandej e ka marrë Komuna për interesa të veta dhe e ka kompensu diku tjetër. Pastaj unë atë pronë ose parcelë ia kam shitë Besfort Isufit, se kam pas nevojë për ato mjete dhe gjithçka ka qenë sipas rregullave. Nëse ke diçka shko në Komunë. Unë jetojë në Gjermani, mundeni ta pyetni edhe Besfort Isufin, sepse atij ia kam shitur, për arsye të mia.

Ju lutem, çka pata të shkruva, asnjë send s’kam çka të shtojë. Edhe mos më shkruani për këtë punë” – ka thënë Krasniqi. Leja ndërtimore Pasi prona publike përfundoi tek ai, Ismet Isufi nuk vonoi shumë dhe aplikoi për leje ndërtimore për të ndërtuar një objekt, në lokacionin ku sipas Hartës Zonale të Komunës së Gjakovës, ishte paraparë të jetë treg.

Harta Zonale është një dokument strategjik multi-sektorial, i cili orienton dhe rregullon zhvillimin dhe shfrytëzimin hapësinor të një Komune. Sipas Ligjit, secila Komunë duhet ta ketë të miratuar në Asamble Hartën Zonale, ndërsa Komuna e Gjakovës e ka miratuar atë në vitin 2024. Te lokacioni ku gjendet prona e Ismet Isufit, gjendet tregu ditor i njohur si “Tregu i Orizes”.

Komuna e Gjakovës atë treg planifikon që ta renovoj dhe sipas drejtorit të Shërbimeve Publike, Jon Bytyqit, aty do të ndërtohet “Treg i mbyllur”. Dhe këtu fillojnë dyshimet për lejen ndërtimore dhe çka është duke u ndërtuar konkretisht. Fillimisht Komuna e Gjakovës, përkatësisht Drejtoria e Urbanizimit – Ismet Isufit i lëshon kushtet ndërtimore.

Sipas aktvendimit, që mban datën , Ismet Isufit i lëshohen kushtet ndërtimore për Hotel, që sipas Hartës Zonale mbanë kodin ZK5. Më pas, kur aplikon për leje ndërtimore, Ismet Iusfi aplikon për “Treg të mbyllur”. Kurse në fund leja ndërtimore i lëshohet me datë , jo për hotel, as për treg të mbyllur por për objekt afarist. Jeton Dalladaku është zyrtari komunal që i ka lëshuar lejen Isufit.

Ai është krejtësisht i paqartë rreth kësaj leje ndërtimore. “Jo, jo, sipas atij (Ismet Isufit), afarizëm, don me bo zyre e qisi sende komerciale. Tash ai mundet me hap edhe me shitë me pakicë dhe shumicë e çka po di unë. Po, po afarizëm ka, por në atë pjesën e nënvizuar – e ke krejt bre – krejt kategoritë çka mundet me ndërtu në atë pjesë.

I ke të nënvizuara, aty jemi bazuar” – ka thënë Dalladaku. Ndërsa Agron Gojani, ish urbanisti që ka lëshuar fillimisht kushtet ndërtimore për ndërtesën e Ismet Isufit, ka thënë se vendosja e kodit ZK5 – Hotel ka qenë gabim teknik dhe sipas tij, kushtet janë lëshuar për “Treg të mbyllur”.

”Ajo, në zonën ku do të ndërtohet objekti hotelerik ka qenë gabim, gabim shtypi, po është gabim i… i tolerueshëm në krahasim se janë të përcaktume se çka është e paraparë. Domethënë në zonën ku është e paraparë me u ndërtuar objekti komercial ose afarizëm, mua më ka ikë ku kam shënuar hotelerik që s’ka lidhje ajo, për shkak se në fund thuhet se ka me u ndërtu treg i mbyllur.

Gjithkund është i përmendur destinimi me ZK, çfarë është e paraparë për atë hartë, me hartën zonale” – ka thënë Gojani.

Burimi: Kallxo