Marcos Rodríguez Pantoja, i njohur në Spanjë si “djali ujk i Sierra Morenës”, ka vdekur më 15 gusht në moshën 80-vjeçare, në fshatin Rante të Ourenses. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet lokale dhe mediat spanjolle. Historia e tij ishte ndër më të pazakontat në Spanjën e shekullit XX.
Pantoja lindi në vitin 1946 në Añora të Andaluzisë dhe pati një fëmijëri të vështirë, të shoqëruar me varfëri dhe keqtrajtime. Kur ishte ende fëmijë, rreth moshës gjashtë vjeç, ai u dërgua të jetonte me një bari të moshuar në malet e Sierra Morenës. Aty mësoi si të mbijetonte në natyrë dhe si të siguronte ushqim duke përdorur atë që gjente përreth.
Pas vdekjes së bariut, Marcos mbeti i vetëm në male. Për më shumë se 12 vjet ai jetoi pa kontakt të rregullt me njerëzit dhe u përshtat me jetën në natyrë, duke qëndruar pranë kafshëve, veçanërisht ujqërve. Ai tregonte se kishte krijuar një lidhje të veçantë me një tufë ujqërish.
Sipas rrëfimeve të tij, ai përdorte ulërima dhe tinguj të kafshëve për të komunikuar dhe besonte se ujqërit e konsideronin pjesë të grupit. Në vitin 1965, kur ishte 19 vjeç, Rodríguez u gjet nga Garda Civile. Kthimi në shoqërinë njerëzore nuk ishte aspak i lehtë. Atij iu desh të mësonte përsëri të fliste, të vishej, të ecte drejt dhe të përdorte takëmet gjatë ushqimit.
Historia e tij u bë edhe objekt studimi antropologjik. Profesori Gabriel Janer Manila kreu intervista me të dhe më vonë botoi një libër për jetën e tij, ndërsa historia u shndërrua edhe në film. Në vitin 2010 u publikua filmi “Entrelobos” , i cili tregon jetën e Rodríguez dhe vitet që ai kaloi në Sierra Morena.
Pavarësisht se u kthye në shoqëri, Rodríguez thoshte vazhdimisht se vitet më të lumtura të jetës së tij kishin qenë ato që i kishte kaluar në natyrë. Që nga viti 2001, ai jetonte në Rante të Ourenses, ku kishte gjetur një shtëpi dhe një komunitet që e mbështeste.
Komuna e San Cibrao das Viñas e përshëndeti pas vdekjes, duke thënë se Marcos kishte ardhur në Rante me një histori që e njihte e gjithë bota, ndërsa po largohej duke lënë pas një histori që tashmë ishte bërë pjesë e komunitetit. Ai vdiq pikërisht më 15 gusht, gjatë festës së organizuar për shenjtorin mbrojtës të Rantes. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
