Kosova ka nevojë të kalojë nga një kushtetutë e mosbesimit etnik në një kushtetutë të besimit qytetar: të drejtat e pakicave të mbeten të paprekshme, ndërsa vetoja të kufizohet vetëm te çështjet që realisht i prekin ato. Barazia nuk kërkon që 5% të sundojë mbi 95%, as që 95% ta heshtë 5%; kërkon që secili të mbrohet, ndërsa shteti të mund të qeveriset.
Kushtetuta e Kosovës u hartua si dokument i një kompromisi historik: duhej ta siguronte pavarësinë e vendit dhe, njëkohësisht, t’i bindte bashkësinë ndërkombëtare dhe komunitetet joshumicë se shteti i ri nuk do të ndërtohej mbi dominimin etnik. Në rrethanat e vitit 2008, kjo logjikë mund të kuptohej. Kosova dilte nga lufta, administrimi ndërkombëtar dhe një periudhë e thellë mosbesimi.
Mirëpo kompromisi i shtetformimit nuk mund të mbetet përjetësisht mekanizëm i bllokimit të shtetfunksionimit. Pas gati dy dekadash, duhet shtruar pyetja që institucionet politike dhe akademike vazhdojnë ta shmangin: a është ende Kosova republikë demokratike e qytetarëve të saj, apo një shtet i vendosur nën kujdestarinë kushtetuese të një pakice parlamentare, e cila mund ta pengojë çdo ndryshim të rendit kushtetues?
Multietniciteti si vlerë apo si perde e pabarazisë? Neni 1 e përkufizon Kosovën si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm. Neni 2 thotë se sovraniteti buron nga populli dhe i takon popullit. Por neni 3 e përkufizon Kosovën si “shoqëri shumetnike”, të përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera. Në parim, këto dispozita nuk janë në kundërshtim.
Një shtet mund të jetë njëkohësisht unitar, demokratik dhe shumetnik. Problemi fillon kur multietniciteti nuk përdoret vetëm për mbrojtjen e diversitetit, por si mbulesë për shpërndarjen joproporcionale të pushtetit konstituiv. Multietniciteti demokratik duhet të sigurojë që asnjë qytetar të mos diskriminohet për shkak të gjuhës, fesë ose përkatësisë etnike.
Ai nuk duhet të nënkuptojë se një grup shumë i vogël parlamentar fiton autoritet për ta ndaluar vullnetin e një shumice dërrmuese, edhe kur çështja nuk ka asnjë lidhje me të drejtat e atij grupi. Barazia e qytetarëve nuk arrihet duke prodhuar një pabarazi të re kushtetuese. Formula e shtatë deputetëve Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë.
Sipas nenit 64, 20 vende janë të garantuara për komunitetet joshumicë: 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera. Ky përfaqësim i garantuar është i kuptueshëm dhe i mbrojtshëm. Komunitetet e vogla duhet të kenë zë në Kuvend dhe nuk duhet të varen vetëm nga fuqia e tyre numerike. Por neni 144 shkon shumë më larg se garantimi i përfaqësimit.
Ai përcakton se çdo ndryshim kushtetues kërkon jo vetëm votën e dy të tretave të të gjithë deputetëve—80 vota—por edhe votën e dy të tretave të 20 deputetëve të vendeve të garantuara, pra së paku 14 vota. Kjo do të thotë se shtatë deputetë të vendeve të garantuara mund ta bllokojnë çdo amendament kushtetues.
Edhe sikur 113 deputetë të pajtoheshin për një reformë, kundërshtimi i shtatë deputetëve komunitarë do ta pamundësonte atë. Kushtetuta nuk thotë se këta shtatë duhet të jenë deputetë serbë. Formalisht, mekanizmi u përket të gjitha komuniteteve joshumicë. Por komuniteti serb ka 10 vende të garantuara.
Nëse së paku shtatë prej tyre kontrollohen nga një subjekt i vetëm, atëherë ai subjekt fiton praktikisht çelësin e ndryshimit kushtetues të Kosovës. Kjo nuk është më vetëm mbrojtje e pakicës. Është pushtet negativ konstituiv: e drejta për të mos qeverisur, por për ta penguar shtetin që të reformohet.
Veto edhe kur pakica nuk preket Neni 81 parashikon shumicën e dyfishtë për ligjet me interes vital, siç janë: përdorimi i gjuhëve; arsimi; liria fetare; trashëgimia kulturore; kompetencat dhe kufijtë komunalë; zgjedhjet lokale; simbolet dhe të drejtat e komuniteteve. Për këto çështje shumica e dyfishtë ka arsyetim.
Nëse një ligj prek identitetin, kulturën, gjuhën ose jetën institucionale të një komuniteti, ai komunitet duhet të ketë mbrojtje efektive. Por neni 144 nuk e kufizon veton komunitare në këto fusha.
Ai e shtrin atë mbi çdo amendament kushtetues, përfshirë reformën e drejtësisë, kompetencat presidenciale, administratën publike, institucionet e pavarura, sistemin zgjedhor dhe mekanizmat kundër bllokimit institucional. Këtu qëndron përçudnimi kushtetues: vetoja nuk lidhet me dëmin që mund t’i shkaktohet komunitetit, por me vetë përkatësinë etnike të deputetit.
Në një demokraci të mirëfilltë, vetoja e pakicës duhet të jetë mbrojtëse, jo sunduese; e kufizuar sipas objektit, jo e pakufizuar mbi tërë shtetin. Pushtet pa përgjegjësi Shumica politike e Kosovës formon qeverinë, mbledh dhe administron buxhetin, mban përgjegjësi për ekonominë, sigurinë, arsimin, shëndetësinë dhe funksionimin e institucioneve.
Ajo përballet me qytetarët dhe ndëshkohet në zgjedhje kur dështon. Një grup i vogël deputetësh mund të mos marrë pjesë në qeverisje dhe të mos mbajë përgjegjësi për rezultatet e saj, por përsëri mund ta pengojë ndryshimin e strukturës kushtetuese. Pra, njëra palë mban përgjegjësinë, ndërsa pala tjetër mund të mbajë veton. Kjo e ndan pushtetin nga llogaridhënia.
Ai që duhet të qeverisë nuk ka gjithmonë autoritetin e nevojshëm për ta reformuar sistemin; ai që mund ta bllokojë reformën nuk mban domosdoshmërisht përgjegjësi për pasojat. Ky nuk është ekuilibër demokratik. Është mundësi për paralizë institucionale nën velon e kuazidemokracisë parlamentare.
Kur mbrojtja e pakicës mund të bëhet instrument i një shteti tjetër Çështja bëhet edhe më serioze kur përfaqësuesit e komunitetit serb nuk veprojnë si përfaqësues autonomë të qytetarëve serbë të Kosovës, por nën drejtimin ose presionin politik të Beogradit.
Duhet bërë një dallim themelor ndërmjet: të drejtave të serbëve të Kosovës; përfaqësimit të tyre politik; dhe interesave shtetërore të Republikës së Serbisë. Serbët e Kosovës kanë të drejtë të plotë për siguri, gjuhë, arsim, kulturë, besim, pronë dhe përfaqësim. Këto të drejta nuk duhet të cenohen nga asnjë shumicë politike.
Por Serbia nuk mund të fitojë të drejtën e kontrollit mbi rendin kushtetues të Kosovës përmes një subjekti politik që kontrollon vendet e garantuara.
Nëse shtatë deputetë marrin udhëzime politike nga një shtet që nuk e njeh Kosovën dhe që punon kundër konsolidimit të saj ndërkombëtar, atëherë mekanizmi i menduar për mbrojtjen e pakicës mund të shndërrohet në instrument të ndikimit të jashtëm.
Banjska, largimet e koordinuara nga policia, gjyqësori dhe institucionet e Kosovës, si dhe funksionimi shumëvjeçar i strukturave paralele, e bëjnë të domosdoshme që ky rrezik të mos trajtohet më si hamendësim abstrakt. Kisha Ortodokse Serbe dhe asimetria e shtetit laik Neni 8 e shpall Kosovën shtet laik dhe neutral në çështjet fetare.
Por Kisha Ortodokse Serbe gëzon pozitë të posaçme të trashëguar nga Plani i Ahtisaarit. Pronat, objektet, organizimi dhe trashëgimia e saj duhet të mbrohen. Manastiret dhe kishat ortodokse janë pjesë e trashëgimisë kulturore e fetare dhe siguria e tyre është detyrim i shtetit të Kosovës. Megjithatë, mbrojtja fetare nuk duhet të shndërrohet në autoritet territorial ose politik.
Është një asimetri e pazakontë që një institucion fetar, hierarkia e të cilit ndodhet në Beograd dhe që identifikohet institucionalisht me një komb të vetëm, të ketë rol të posaçëm në një shtet kushtetutshmërisht laik dhe shumetnik. Kisha mund të ketë të drejtë të konsultohet për pronën, trashëgiminë dhe jetën fetare.
Ajo nuk mund të trajtohet si bartëse e sovranitetit, si autoritet paralel apo si instrument shtetëror i Serbisë brenda Kosovës. Referendumi që ekziston në letër, por jo si zgjidhje Neni 2 thotë se sovraniteti ushtrohet edhe përmes referendumit. Por Kushtetuta nuk lejon që referendumi ta zëvendësojë procedurën e nenit 144.
Për më tepër, ligjet me interes vital sipas nenit 81 nuk mund të dërgohen në referendum. Kështu, populli përmendet si burim i sovranitetit, por nuk mund ta tejkalojë veton kushtetuese të shtatë deputetëve. Edhe ndryshimi i kësaj vetoje kërkon votën e atyre që e zotërojnë atë.
Ky është dryni kushtetues i Kosovës: sistemi nuk mund të reformohet pa pëlqimin e aktorëve që kanë fuqinë për ta bllokuar reformën. A ekziston diku tjetër një model i tillë? Ekzistojnë sisteme me veto komunitare. Bosnjë-Hercegovina ka veton e interesit vital dhe votimin sipas entiteteve. Belgjika përdor shumica gjuhësore. Maqedonia e Veriut ka shumicën e Badinterit.
Irlanda e Veriut kërkon mbështetje ndërkomunitare për çështje të caktuara. Kushtetuta e Qipros e vitit 1960 i kishte dhënë komunitetit turkoqipriot kompetenca të gjera bllokuese. Por asnjë prej këtyre rasteve nuk është analogji e plotë me Kosovën.
Bosnja përbëhet nga entitete dhe tri popuj konstituivë, por pikërisht për shkak të vetove etnike është shndërruar në shembull të paralizës institucionale. Belgjika është federatë e bashkësive të mëdha gjuhësore. Në Maqedoninë e Veriut shumica e dyfishtë lidhet kryesisht me gjuhën, kulturën, arsimin dhe pushtetin lokal. Irlanda e Veriut nuk është shtet sovran.
Modeli fillestar qipriot u bllokua vetëm pak vite pas krijimit të tij. Prandaj, vështirë se gjendet një demokraci unitare dhe funksionale ku një grup kaq i vogël deputetësh mund të pengojë çdo ndryshim kushtetues, pavarësisht nëse komuniteti i tyre preket ose jo. Kosova nuk duhet ta kërkojë modelin e saj te sistemet që kanë prodhuar bllokadë dhe ndarje të përhershme etnike.
Nuk duhet hequr mbrojtja—duhet kufizuar vetoja Reforma nuk duhet t’i zvogëlojë të drejtat e komuniteteve. Përkundrazi, ato duhet të mbeten të paprekshme dhe të garantuara nga Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese dhe instrumentet ndërkombëtare.
Por shumica e dyfishtë duhet të kërkohet vetëm për ndryshimet që prekin drejtpërdrejt: gjuhën; arsimin; kulturën; fenë; trashëgiminë; përfaqësimin komunitar; vetëqeverisjen lokale; mbrojtjen nga diskriminimi. Për amendamentet e tjera duhet të mjaftojë shumica e cilësuar prej 80 deputetësh, e shoqëruar me kontroll paraprak të Gjykatës Kushtetuese.
Në vend të vetos përfundimtare mund të krijohet veto pezulluese: kundërshtimi komunitar ta ndalojë përkohësisht procedurën, të detyrojë dialogun dhe kontrollin gjyqësor, por të mos e paralizojë shtetin përgjithmonë. Nga frika etnike te besimi qytetar Kosova nuk mund të mbetet përjetësisht e organizuar sipas frikës së vitit 2008.
Një shtet modern nuk ndërtohet duke supozuar se shumica gjithmonë synon ta shtypë pakicën dhe se pakica duhet të ketë gjithmonë mekanizëm për ta ndaluar shumicën. Shteti ndërtohet mbi të drejta të patjetërsueshme, institucione të pavarura, drejtësi kushtetuese dhe përgjegjësi qytetare.
Serbët e Kosovës nuk duhet të trajtohen si instrument i Beogradit, por as Beogradi nuk duhet të lejohet t’i përdorë ata si mekanizëm për ta kontrolluar Kosovën. Shqiptarët nuk duhet ta kuptojnë demokracinë si sundim të pakufizuar numerik, por as të pranojnë që përgjegjësia e tyre për shtetin të shoqërohet me pafuqinë për ta reformuar atë.
Kosova ka nevojë për një kontratë të re qytetare: të drejtat e secilit të jenë të sigurta, por shteti të mos jetë peng i askujt. Barazia nuk kërkon që 5% të sundojë mbi 95%, as që 95% ta heshtë 5%. Ajo kërkon që të gjithë të mbrohen, secili të mbajë përgjegjësi për pushtetin që ushtron dhe Republika të ketë të drejtë të funksionojë.
