Mbi 17 kilogramë substancë narkotike e dyshuar si marihuanë janë sekuestruar nga Policia e Kosovës në Kaçanik, ndërsa dy persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme me narkotikë.
Sipas njoftimit të policisë në Facebook, rasti ka ndodhur dje rreth orës , kur hetuesit e Stacionit Policor në Kaçanik tentuan të ndalonin për kontroll një veturë, por drejtuesi i saj arriti t’i shmangej përkohësisht ndalimit policor. “Më pas njësi të ndryshme policore arrijnë që veturën ta lokalizojnë dhe ta ndalojnë.
Policia, konkretisht hetuesit policorë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN)- Ferizaj, duke kontrolluar rrugën nga dyshohej se ishte larguar vetura, në një vend me mbeturina kanë gjetur të hedhura tre thasë me substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë.
Substanca narkotike dyshohet të jetë hedhur nga vetura që i ishte shmangur ndalimit policor” , thotë Policia. Policia bëri të ditur se pesha e përgjithshme e substancës së konfiskuar është 17 kilogramë e 834.6 gramë. Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar edhe dëshmi të tjera relevante.
“Nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’, janë arrestuar dy të dyshuar: F.K., (viti i lindjes 1961, mashkull shtetas i Republikës së Shqipërisë) dhe A.C.., (viti i lindjes 2001, mashkull shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut).
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i PTh Ferizaj dhe në koordinim më të është trajtuar rasti. Me aktvendim nga prokurori, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë ”, thotë PK.
