Franz von Holzhausen, shefi i dizajnit të Tesla-s prej 18 vitesh, ka vendosur të ruajë një prej automjeteve më të veçanta të kompanisë, Model S Plaid Signature Edition me numër shasie 001. Bëhet fjalë për ekzemplarin e parë nga vetëm 250 vetura të prodhuara në këtë edicion të kufizuar, me çmim fillestar prej rreth 159 mijë e 420 dollarësh.
Në vend që ta modifikonte për më shumë performancë, von Holzhausen e dërgoi automjetin në qendrën e specializuar Unplugged Performance në Kaliforni, ku iu nënshtrua një procesi të plotë mbrojtjeje dhe konservimi. Modeli dallohet për ngjyrën e veçantë “Garnet Red”, të krijuar si homazh ndaj ngjyrës së kuqe të versionit origjinal Signature të Model S të vitit 2012.
Pamja plotësohet me detaje të arta në pjesën e jashtme, ndërsa kabina ka lëkurë të bardhë dhe timonin karakteristik “yoke”. Nën karroceri ndodhet sistemi me tre motorë elektrikë që prodhon rreth 1,020 kuaj fuqi. Sipas Tesla-s, vetura përshpejton nga 0 në 100 km/h për vetëm 1.99 sekonda, ndërsa me “Track Package” mund të arrijë shpejtësi deri në 322 km/h.
Specialistët nuk kanë ndërhyrë në sistemin e performancës. Vetura është pastruar dhe dekontaminuar në mënyrë të detajuar, më pas është mbuluar tërësisht me film mbrojtës të bojës dhe veshje qeramike. Edhe xhamat janë trajtuar me film të posaçëm për mbrojtje nga rrezet ultraviolet dhe reduktimin e nxehtësisë në kabinë.
Tesla ka prodhuar gjithashtu 100 ekzemplarë të Model X Plaid Signature Edition, ndërsa të dy seritë e kufizuara janë dorëzuar gjatë një aktiviteti në fabrikën e Fremontit në maj të këtij viti.
Vendimi i von Holzhausen për ta ruajtur Model S Plaid nr. 001 në gjendje sa më origjinale tregon se automjeti po trajtohet jo vetëm si një makinë me performancë të lartë, por edhe si një pjesë e historisë së Tesla-s. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
