Situata e zjarreve në territorin e Bashkisë Pukë paraqitet më e qetë, ndërsa të gjitha vatrat vijojnë të monitorohen nga forcat në terren. Në Njësinë Administrative Gjegjan, të gjitha vatrat e zjarrit janë izoluar dhe shuar. Forcat e Armatosura dhe strukturat operacionale vendore vijojnë monitorimin e perimetrit për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.
Në zonën Prozhëm–Shkozë, një vatër vijon të jetë aktive, por aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat. Forcat në terren po punojnë për izolimin e plotë të saj në të dy drejtimet. Ndërkohë, në malin Tërbun–Fushë Livadh, po vijon verifikimi dhe monitorimi i perimetrit të vatrave që deri tani janë shuar plotësisht.
Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë kohës, me fokus izolimin e vatrës aktive dhe parandalimin e riaktivizimit të vatrave të shuara.
