Ministria e Arsimit dhe Shkencës, drejtorët komunalë të arsimit dhe përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë diskutuar për sfidat me të cilat përballet sistemi arsimor në Kosovë. Diskutimi është zhvilluar gjatë një punëtorie dyditore të organizuar më 21 dhe 22 gusht në Brezovicë, ku janë trajtuar çështje që lidhen me shkollat, nxënësit dhe punëtorët e arsimit.
SBASHK-u përmes një njoftimi shkruan se në panelin hapës të punëtorisë kanë marrë pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, si dhe kryesuesi i Kolegjiumit të Drejtorëve Komunalë të Arsimit, Muhamet Gjoka.
Sipas SBASHK-ut, gjatë takimit është diskutuar për nevojën e bashkëpunimit më të madh ndërmjet institucioneve qendrore, komunave dhe përfaqësuesve të punëtorëve të arsimit. “Gjatë dy ditëve të punës u prezantuan edhe praktika të mira nga komunat, ndërsa diskutimet u përqendruan në gjetjen e zgjidhjeve potenciale për sfidat e identifikuara”- shkruan tutje SBASHK-u.
