Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se Moska do të forcojë sistemin e mbrojtjes ajrore dhe do të ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj sektorëve të ndjeshëm të ekonomisë dhe logjistikës ukrainase. Deklaratat e tij vijnë pas sulmeve të fundit me dronë ukrainas ndaj depove dhe qendrave logjistike në territorin rus.
Putin tha se këto goditje kanë shkaktuar dëme ekonomike, por pretendoi se nuk kanë ndikuar në përparimin e forcave ruse në front. “Regjimi i Kievit i vuri vetes qëllimin të dëmtonte ekonominë tonë. E hapi vetë këtë ‘kuti të Pandorës’. Tani do të ketë përgjigje ndaj sektorëve më të ndjeshëm të ekonomisë suaj”, deklaroi ai.
Sipas presidentit rus, ushtria po përgatit masa konkrete kundër infrastrukturës logjistike ukrainase. “Doni të na prishni logjistikën? Atëherë masat hakmarrëse nuk do të vonojnë shumë”, tha Putin. Ai bëri thirrje gjithashtu për zgjerimin e sistemit rus të mbrojtjes ajrore dhe për koordinim më të mirë mes strukturave civile dhe ushtarake.
Sa i përket negociatave, Putin përsëriti se Moska mbetet e hapur për bisedime, por vetëm duke marrë parasysh atë që ai e cilësoi si “realiteti në terren”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!