Bayern Munich ka fituar Superkupën e Gjermanisë, pasi në finale mposhti Borussia Dortmundin me rezultat 2-1 në një përballje të luftuar deri në fund. Bavarezët e nisën ndeshjen më mirë dhe arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 28-të. Nathaniel Brown bashkëpunoi mirë me Michael Olisen, para se të merrte një pasim që e nxori në pozitë të favorshme në hyrje të zonës.
Brown u tregua i saktë dhe me një goditje të ulët mposhti Gregor Kobelin për 1-0. Dortmundi tentoi të reagojë dhe në minutën e 42-të arriti të dërgojë topin në rrjetë përmes Ramy Bensebainit. Megjithatë, festa e vendasve zgjati pak.
Pas ndërhyrjes së VAR-it, gjyqtari Daniel Schlager rishikoi aksionin dhe vendosi që goli të anulohej për pozicion jashtë loje. pic.twitter.com/7KqVIPxbZu — FC Bayern München (@FCBayern) August 22, 2026 Bayern e shfrytëzoi momentin dhe në fund të pjesës së parë e dyfishoi avantazhin.
Michael Olise realizoi një aksion individual të shkëlqyer në minutat shtesë, duke hyrë në zonë dhe duke goditur saktë në këndin e poshtëm për 2-0. Skuadra e Niko Kovacit pati disa mundësi për të ngushtuar diferencën, por Manuel Neuer ishte i sigurt në portë.
Në minutën e 53-të, Konstantinos Karetsas provoi pas një rrëmuje në zonë, por goditja e tij ishte e dobët dhe Neuer e priti pa vështirësi. Dortmundi vazhdoi të insistonte dhe në minutën e 75-të arriti të rikthejë shpresën. Daniel Svensson pasoi për Fabio Silvan, i cili goditi nga brenda zonës. Topi u devijua dhe përfundoi pas shpinës së Neuerit për 2-1.
Në minutat e fundit, Dortmundi kërkoi golin e barazimit, ndërsa të dy trajnerët bënë disa zëvendësime për të ndryshuar ritmin e ndeshjes. Megjithatë, Bayern arriti ta ruajë avantazhin deri në vërshëllimën e fundit dhe kështu siguroi trofeun e Superkupës së Gjermanisë./ Telegrafi
