Çdo traditë fetare, në rrjedhën e historisë, përballet me sfidën për të ruajtur thelbin e besimit dhe njëkohësisht për t’u ripërtërirë në mënyrën se si e jeton dhe e dëshmon atë në rrethana të reja. Kjo nuk është një kërkesë që duhet t’i drejtohet vetëm Islamit.
Edhe Kisha Katolike, gjatë gjithë historisë së saj, ka kaluar nëpër procese të vazhdueshme të ripërtëritjes shpirtërore, të reformës dhe të pastrimit të vetvetes. Por kjo ripërtëritje nuk ka nënkuptuar braktisjen e bërthamës së saj, as ndryshimin e thelbit të besimit. Përkundrazi, ajo ka qenë një kthim i vazhdueshëm te burimi: te Ungjilli dhe te thesari i gjallë i Traditës së krishterë.
Kisha, gjatë historisë, ka bërë vazhdimisht një dallim mes thelbit të pandryshueshëm të besimit dhe formave historike që mund të jenë bërë të vjetruara, të tepruara ose të papërshtatshme.
Ajo ka reformuar praktika liturgjike, ka kufizuar formalizmat dhe ka rishikuar mënyra të ushtrimit të autoritetit, pikërisht për të mos lejuar që format njerëzore ta errësojnë fytyrën e Ungjillit dhe që forma të mos bëhet qëllim në vetvete dhe të mos zërë vendin e thelbit të besimit.
Në këtë kuptim, ripërtëritja nuk është mohim i së kaluarës, por pasurim dhe pastrim i saj; nuk është shkatërrim i identitetit, por kthim më i thellë te identiteti. Historia e Kishës dëshmon se një fe mund të mbetet besnike ndaj bërthamës së saj dhe njëkohësisht të reflektojë, të reformohet dhe të gjejë gjuhë të reja për t’iu përgjigjur sfidave të kohës.
Pikërisht këtu qëndron edhe kuptimi i madh i Koncilit II të Vatikanit: jo ta ndryshojë thelbin e krishterimit, por ta ndihmojë Kishën që të dëshmojë të njëjtin Ungjill në mënyrë më të kuptueshme dhe më të frytshme për njeriun bashkëkohor. Prandaj, reforma dhe ripërtëritja shpirtërore nuk janë shenjë se një fe ka dështuar.
Përkundrazi, ato mund të jenë dëshmi se ajo ka ende jetë, vetëdije dhe forcë për ta parë veten me ndershmëri, për t’i korrigjuar dobësitë e veta dhe për t’u kthyer gjithmonë te burimi i saj. Pa ripërtëritje shpirtërore, feja rrezikon të mbetet vetëm në forma, rite, formalizma dhe deklarata të jashtme, pa e prekur zemrën dhe pa e ndryshuar thellësisht jetën e njeriut.
Feja duhet të jetë një forcë që e shndërron zemrën, ndërgjegjen dhe mënyrën e jetesës. Pikërisht këtë guxim për ta shqyrtuar veten, për të dalluar dhe korrigjuar keqpërdorimet e bëra në emër të fesë dhe për t’u ripërtërirë shpirtërisht duhet ta ketë çdo traditë fetare, përfshirë edhe Islamin.
ISLAMI PËRBALLË NEVOJËS URGJENTE PËR REFORMË DHE RIPËRTËRITJE SHPIRTËRORE Pa një ripërtëritje të thellë shpirtërore, Islami rrezikon të mbetet prapa kohës, të hyjë në tension me realitetet e botës moderne dhe të përballet me kontradikta e konflikte të thella brenda vetes dhe me të tjerët.
Në vend që të jetë burim paqeje, morali dhe bashkëjetese, ai rrezikon të perceptohet si burim problemesh, si në marrëdhënien e tij me botën e jashtme, ashtu edhe në përballjen e besimtarit me vetveten. Kjo nuk do të thotë braktisje e besimit dhe as mohim i identitetit fetar.
Përkundrazi, reforma mund të kuptohet si një përpjekje për t’i rikthyer në qendër vlerat më të larta të besimit: dashurinë, mëshirën, drejtësinë, faljen, dinjitetin njerëzor, përgjegjësinë dhe paqen. Një fe që nuk pranon të dialogojë me kohën rrezikon të mbyllet në vetvete.
Ndërsa një fe që di të dallojë të përjetshmen nga historikja, parimin nga interpretimi dhe besimin nga përdorimi politik i tij, mund të bëhet një burim i madh i së mirës në shoqëri. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e reformës: jo në mohimin e besimit, por në aftësinë për ta jetuar dhe shprehur atë në mënyrë të përgjegjshme në rrethanat e reja të kohës. Kjo nuk është çështje vetëm e Islamit.
Çdo traditë fetare, në periudha të ndryshme të historisë, është përballur me pyetjen se si t’i ruajë bindjet themelore duke i shprehur ato në rrethana të reja shoqërore, kulturore dhe politike.
Prandaj, kërkesa për reflektim, reformë dhe ripërtëritje nuk duhet të shihet si armiqësi ndaj fesë, por si një mundësi për ta bërë besimin më të përgjegjshëm, më njerëzor dhe më të dobishëm për jetën e njeriut dhe të shoqërisë. Asgjë nuk është më e rëndësishme se ripërtëritja shpirtërore e besimtarit.
Pa të, feja rrezikon të reduktohet në formalizma, në rite, në forma dhe në shenja të jashtme: në veshje, në shami, në mjekër, në simbole fetare, në mënyrën e të falurit apo në pjesëmarrjen në ceremonitë fetare. Të gjitha këto mund të kenë vendin dhe rëndësinë e tyre, por nuk mund të jenë qëllimi përfundimtar i besimit.
Një njeri mund të duket shumë fetar në sytë e të tjerëve dhe, megjithatë, të mbetet shpirtërisht bosh. Prandaj, feja nuk mund të kufizohet vetëm në atë që shihet. Ajo duhet të fillojë me ndryshimin e zemrës, me pastrimin e ndërgjegjes dhe me një marrëdhënie të gjallë me Zotin.
Besimi i vërtetë duhet të dëshmohet mbi të gjitha në mënyrën se si njeriu sillet me tjetrin: në dashuri, mëshirë, drejtësi, falje, përulësi dhe respekt për dinjitetin njerëzor.
Në fund të fundit, vlera e një besimi nuk matet vetëm me atë se sa shumë flitet për Zotin, sa shumë mbahen ritet, sa shumë agjëron etj. apo sa dukshëm shfaqen simbolet fetare, por edhe me atë se sa shumë ky besim e ndryshon njeriun dhe marrëdhënien e tij me të tjerët.
Besimi që nuk e bën njeriun më të mirë, më të drejtë, më të mëshirshëm dhe më paqësor duhet të ndalet, të reflektojë dhe të pyesë veten nëse ka humbur diçka nga thelbi i tij. Ripërtëritja shpirtërore, pra, nuk është dobësim i fesë. Ajo mund të jetë pikërisht mënyra për ta kthyer besimin te thelbi i tij: te Zoti, te njeriu dhe te përgjegjësia për të jetuar me dashuri, drejtësi dhe paqe.
FEJA DHE DEMOKRACIA Sot, demokracia, të drejtat e njeriut, barazia para ligjit, liria e ndërgjegjes, liria fetare dhe respekti për tjetrin nuk duhet të shihen si kërcënime ndaj besimit. Ato janë sfida për mënyrën se si çdo fe shprehet në jetën publike. Në një shtet demokratik, besimtari ka të drejtë ta jetojë dhe ta dëshmojë fenë e tij.
Por po aq e rëndësishme është e drejta e tjetrit për të mos e pranuar atë. Shteti nuk mund të jetë pronë e një feje dhe as feja nuk duhet të përdoret si instrument për t’ua imponuar bindjet fetare të tjerëve. Prandaj, Islami duhet të mësohet me demokracinë, jo duke humbur identitetin e tij, por duke e dëshmuar atë përmes qytetarisë, përgjegjësisë dhe respektit për lirinë e tjetrit.
Myslimani në një shoqëri demokratike nuk ka nevojë të zgjedhë mes besimit dhe qytetarisë. Ai mund të jetë njëkohësisht besimtar i devotshëm dhe qytetar i përgjegjshëm. Por kjo kërkon një dallim të qartë ndërmjet bindjes personale fetare dhe normave juridike që vlejnë për të gjithë qytetarët.
KUR FEJA NGATËRROHET ME POLITIKËN Një ndër problemet më të mëdha shfaqet kur feja ngatërrohet me politikën dhe kur një interpretim i caktuar fetar paraqitet si i vetmi interpretim i mundshëm dhe si normë absolute për të gjithë shoqërinë. Kjo është veçanërisht problematike në shoqëritë pluraliste, ku jetojnë njerëz me besime të ndryshme dhe njerëz që nuk besojnë fare.
Demokracia nuk kërkon që qytetari ta braktisë fenë e tij; ajo kërkon që askush të mos e përdorë pushtetin shtetëror për t’ua imponuar të tjerëve bindjet e veta fetare. Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm: të kritikosh instrumentalizimin politik të fesë nuk do të thotë të sulmosh fenë dhe as besimtarët.
Përkundrazi, është një përpjekje për ta mbrojtur lirinë fetare nga keqpërdorimi politik. Feja mund të kontribuojë shumë në jetën publike përmes vlerave morale, solidaritetit, kujdesit për të varfrin, mbrojtjes së familjes, ndihmës ndaj të dobëtit dhe promovimit të paqes. Por kur feja bëhet mjet për pushtet, kontroll, përjashtim ose armiqësi ndaj tjetrit, ajo humb misionin e saj moral.
REFORMA DUHET TË JETË EDHE SHPIRTËRORE Por reforma nuk mund të jetë vetëm institucionale, juridike apo intelektuale. Ajo duhet të jetë edhe shpirtërore. Nuk mjafton të flitet për Zotin nëse besimtari nuk mëson të dojë njeriun. Nuk mjafton të mbushen xhamitë nëse zemrat mbeten plot me urrejtje, përbuzje dhe hakmarrje. Nuk mjafton të mbrohen simbolet fetare nëse harrohet dinjiteti i njeriut.
Nuk mjafton të flitet për moralin nëse në jetën e përditshme mungojnë ndershmëria, drejtësia dhe mëshira. Besimi nuk matet vetëm me atë se sa herë njeriu shkon në faltore, por edhe me mënyrën se si sillet me atë që mendon ndryshe, me të dobëtin, me të varfrin, me të huajin dhe madje edhe me kundërshtarin e tij.
Nuk mund të pretendojmë se e duam Zotin, ndërsa e poshtërojmë njeriun që Zoti e ka krijuar. Një fe që nuk e zbut zemrën, nuk e frenon urrejtjen, nuk e mëson faljen dhe nuk e nxit respektin për tjetrin, rrezikon të mbetet vetëm në sipërfaqe. Sepse qëllimi i besimit nuk është vetëm të na bëjë njerëz fetarë, por të na bëjë njerëz më të mirë.
Prandaj, pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm: “Sa beson?”, por edhe: “Çfarë njeriu të ka bërë besimi yt?” Sepse aty ku besimi është i vërtetë, duhet të ketë më shumë dashuri, më shumë drejtësi, më shumë falje, më shumë përgjegjësi dhe më shumë respekt për dinjitetin njerëzor.
Feja duhet të shihet në jetën e besimtarit: në mënyrën si sillet me familjen, me fqinjin, me të varfrin, me të krishterin, me hebrenjtë, me ateistin, me emigrantin, me kundërshtarin dhe me njeriun që mendon ndryshe. Besimi që nuk prodhon më shumë njerëzi, drejtësi dhe mëshirë duhet të bëjë një shqyrtim të thellë të vetvetes. Ripërtëritja shpirtërore nuk nënkupton më shumë formalizëm fetar.
Ajo nënkupton që besimi të bëhet më i dukshëm në karakterin e njeriut. Një besimtar i mirë nuk matet vetëm me sa shpesh shkon në xhami, sa shumë flet për fenë apo sa fort mbron simbolin e tij fetar. Ai duhet të matet edhe me mënyrën se si sillet me njeriun që nuk mund t’i sjellë asnjë përfitim.
Nëse feja nuk e mëson njeriun të jetë më i drejtë, më i mëshirshëm, më i ndershëm dhe më i përgjegjshëm, atëherë duhet pyetur seriozisht se çfarë po ndodh ndërmjet mësimit fetar dhe jetës së përditshme. DUHET TË HAPET HAPËSIRA PËR PYETJE Një shoqëri moderne nuk mund të ndërtohet mbi frikën nga pyetjet. Duhet të ketë hapësirë për mendim kritik.
Duhet të ketë hapësirë për dijetarë që nuk kanë frikë nga diskutimi. Duhet të ketë hapësirë për të rinjtë që kërkojnë përgjigje për botën ku jetojnë. Një i ri që pyet për fenë nuk duhet të konsiderohet automatikisht si armik i saj. Përkundrazi, pyetja mund të jetë shenjë e një kërkimi të sinqertë për kuptim.
Nëse pyetjet e të rinjve marrin përgjigje vetëm me frikësim, heshtje ose akuza, ata mund të largohen jo vetëm nga institucionet fetare, por edhe nga vetë besimi. Prandaj, edukimi fetar duhet të ketë më shumë dije, argument, etikë dhe aftësi për dialog. Fëmijët dhe të rinjtë nuk duhet të mësohen vetëm çfarë të besojnë, por edhe si të jetojnë me njerëzit që besojnë ndryshe.
Duhet të mësojnë se toleranca nuk është dobësi, dialogu nuk është tradhti dhe bashkëjetesa nuk është braktisje e identitetit. NJË ISLAM QË NUK KA FRIKË NGA TJETRI Një fe që ka besim në të vërtetën e saj nuk duhet të ketë nevojë ta urrejë tjetrin për të dëshmuar veten.
Prandaj, marrëdhënia me të krishterët, hebrenjtë, ateistët dhe me të gjithë njerëzit që kanë bindje të tjera nuk duhet të ndërtohet mbi frikën dhe dyshimin, por mbi respektin dhe dinjitetin njerëzor. Kjo nuk do të thotë që të gjitha fetë janë të njëjta ose se dallimet teologjike duhet të zhduken. Dallimet mund të ekzistojnë dhe të mbeten të rëndësishme.
Por dallimi nuk duhet të shndërrohet në armiqësi. Një mysliman mund të jetë krenar për fenë e tij pa e poshtëruar fenë e tjetrit. Një i krishterë mund ta dëshmojë besimin e vet pa e urryer myslimanin. Një ateist mund të mos besojë në Zot pa qenë armik i besimtarit. Kjo është kultura demokratike e bashkëjetesës. ÇFARË DUHET TË BËJË KOSOVA? Kosova nuk duhet ta luftojë Islamin.
Kosova duhet të luftojë radikalizimin, ekstremizmin e dhunshëm, gjuhën e urrejtjes dhe çdo përpjekje për ta zëvendësuar ligjin me presion fetar. Duhet të kërkojë transparencë nga të gjitha bashkësitë fetare. Duhet të forcojë edukimin fetar të përgjegjshëm. Duhet të mbështesë zërat fetarë që promovojnë paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën.
Duhet të kontrollojë financimet e dyshimta dhe rrjetet që mund të shërbejnë për radikalizim, gjithmonë brenda ligjit. Duhet të monitorojë propagandën ekstremiste në internet. Duhet të investojë në rini, arsim dhe mendim kritik. Dhe mbi të gjitha, duhet të zbatojë ligjin njësoj për të gjithë.
FEJA DUHET TË MËSOJË DASHURINË PËR TJETRIN Një fe që dëshiron të ketë rol pozitiv në shoqëri nuk mund të mjaftohet vetëm me ritualet dhe rregullat fetare. Ajo duhet ta edukojë njeriun edhe me dashuri, respekt, mëshirë dhe përgjegjësi ndaj tjetrit, sidomos ndaj atij që mendon, beson ose jeton ndryshe.
Prandaj, pyetja që duhet bërë nuk është vetëm: Sa mirë po i mësojmë njerëzit të praktikojnë fenë? Por edhe: A po i mësojmë të jenë njerëz më të mirë me të tjerët? Nëse një besimtar del nga xhamia duke i urryer fqinjët e tij për shkak të fesë, duke i përbuzur ata që besojnë ndryshe ose duke e parë tjetrin si armik, atëherë duhet të pyesim se çfarë edukimi fetar po merr.
Këtu qëndron edhe përgjegjësia e hoxhallarëve dhe e institucioneve fetare. Predikimi nuk duhet të ndërtojë mure mes njerëzve, por të krijojë përgjegjësi, paqe dhe respekt. Besimtari duhet të mësohet se të duash Zotin nuk të jep të drejtën ta urresh njeriun tjetër. Kosova është një shoqëri pluraliste. Këtu jetojnë njerëz me bindje të ndryshme fetare dhe njerëz që nuk praktikojnë asnjë fe.
Prandaj, çdo autoritet fetar që flet para publikut duhet të ketë parasysh se fjalët e tij ndikojnë në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Kritika nuk është ndaj fesë si të tillë dhe as ndaj çdo hoxhe. Kritika është ndaj çdo forme të edukimit fetar që e dobëson respektin për tjetrin dhe e ushqen përçarjen. Feja duhet ta bëjë njeriun më të mirë, jo më përjashtues.
Në fund të fundit, vlera e një predikimi nuk matet vetëm me sa njerëz e dëgjojnë atë, por edhe me atë se çfarë lloj njeriu bëhet besimtari pasi del prej tij.
