Mimoza Shkodra: Taranto 2026… nga pjesëmarrja te trashëgimia e

0%

Ish zëvëndëspresidentja e Komitetit Olimpik të Kosovës, Mimoza Shkodra, ish volejbolliste e kombëtares së Kosovës, ka bërë një analizë në lidhje me Lojërat Mesdhetare dhe se çka i shërben “Taranto 2026” shtetit të Kosovës. “Taranto 2026… nga pjesëmarrja te trashëgimia e Prishtinës 2030.

Si ish-zëvendëspresidente e KOK- ut dhe si ish- volejbolliste aktive prej më shumë se 22 vitesh, pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 e shoh përtej rezultateve dhe medaljeve… andaj nuk duhet ta shohim këtë ngjarje vetëm përmes kostos financiare, por as ta mbulojmë me patriotizëm të tepruar.

Duhet ta shohim me profesionalizëm, me përgjegjësi dhe mbi të gjitha si një mundësi për të mësuar nga shtetet e tjera. Përvoja ime në Lojërat Olimpike Paris 2024 më ka bindur edhe më shumë për këtë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe pas më shumë se 30 vitesh në sport, akademi dhe udhëheqje…Lojrat Olimpike “ Paris 2024” më dha mundësinë të mësoj gjëra të reja dhe të shoh nga afër se si funksionojnë delegacionet dhe sistemet sportive të vendeve të ndryshme dhe mbi të gjitha të falënderojmë të kaluarën, vuajtjen dhe të gjithë ata që kontribuan dhe e mbajtëm gjallë sportin për dekada… të mos e harrojmë ( historia gjithmonë do t’i kujtojë)…Por patjetër të ecim para me hapa të sigurtë.

Një prej vlerave më të mëdha të këtyre organizimeve janë kontaktet që krijohen. Ato të japin mundësinë të shohësh përtej delegacionit tënd, të njohësh mënyrën se si organizohen shtetet e tjera dhe të kuptosh se çfarë niveli profesionalizmi kërkohet për të ndërtuar sport elitar.

Një shembull që më ka bërë veçanërisht përshtypje ishte organizimi i delegacioneve të disa prej shteteve ku vetëm ekipi mjekësor përbëhej me mbi 20 profesionistë. Ky është një tregues se sa larg shkon profesionalizimi në vendet që sportin e trajtojnë si një sistem të mirëorganizuar dhe jo vetëm si garë dhe patriotizëm… Prandaj Taranto është një shkollë për Prishtinën 2030…

KOK i ka dhënë një mundësi me vlerë sportit në Kosovë. Pjesëmarrja e një numri të madh sportistësh, trajnerësh dhe profesionistësh, delegacione shtetërore dhe KOK duhet të shihet si investim në kapitalin njerëzor të sportit kosovar. Sportisti dhe sporti nuk ndërtohen brenda disa muajve.

Si profesoreshë dhe ligjëruese në teorinë e trajnimit, studentëve ua shpjegoj vazhdimisht rëndësinë e programeve afatgjata të përgatitjes. Arritja e kulmit të performancës në gara me rëndësi të lartë kombëtare apo ndërkombëtare është rezultat i një procesi që kërkon vite, planifikim, periodizim dhe një ekip të tërë profesionistësh.

Pikërisht për këtë arsye, përvoja që sportistët, trajnerët, delegacione e adminstratë sportive që janë në Taranto është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kjo vlen veçanërisht për sportet kolektive, të cilat deri tani kanë pasur më pak mundësi për të përjetuar një skenë të tillë ndërkombëtare në një ngjarje shumë-sportëshe.

Përballja me nivele të reja, kultura të ndryshme sportive dhe standarde më të larta shërbenë si mësim konkret për të ardhmen. Kjo përvojë nuk përfundon me mbylljen e Lojërave. Ajo besoj se do të kthehen në metoda të reja pune, në trajnerë më të përgatitur, në organizim më të mirë dhe, nesër, në sportistë më të suksesshëm.

Në vend që ta shohim çdo pjesëmarrje vetëm si arsye për krenari, ta përdorim atë si mundësi për të analizuar se ku qëndrojnë Kosova dhe çfarë duhet të përmirësojmë. Shtetet e tjera nuk kanë arritur rezultate vetëm për shkak të talentit të sportistëve.

Pas tyre qëndrojnë programe afatgjata, ekipe mjekësore, shkencë sportive, trajnerë të specializuar, administratë profesionale, analiza të performancës dhe financim të planifikuar. Këto janë standardet që në TARANTO t’i shohin, t’i studiojnë dhe t’i përshtatim me mundësitë tona. Patriotizmi mund të jetë motivues, por nuk e zëvendëson profesionalizmin.

Fjalët e mëdha nuk ndërtojnë sportistë, nuk përgatisin trajnerë dhe nuk krijojnë sisteme. Për këtë nevojiten punë e vazhdueshme, përgjegjësi, matje të rezultateve dhe njerëz të përgatitur. Sportistëve të rinj, kudo në botë, nuk u mjafton patriotizmi. Ata kërkojnë profesionalizëm, kushte dhe mundësi për t’u zhvilluar.

Patriotizmi është pjesë e identitetit të tyre, por profesionalizmi është ajo që i çon drejt majave. Prandaj, Kosovës i duhet më pak fokus te fjalët patriotike dhe më shumë investim në profesionalizëm. Kur flasim për Prishtinën 2030, mendojmë për palestra, stadiume, pishina dhe objekte sportive. të cilat janë shumë të rëndësishme…

Por trashëgimia më e rëndësishme shpesh në këto ngjarje mund të jetë njeriu. Trajneri që profesionalizohet. Mjeku sportiv që fiton përvojë. Administratori që mëson menaxhimin ndërkombëtar. Vullnetari që kupton standardet e një organizimi të madh. Sportisti që nesër mund të bëhet trajner, pedagog apo drejtues sportiv. Edhe kjo është trashëgimi.

Dhe krahas saj, një organizim i përmasave të Prishtinës 2030 do të lërë edhe një trashëgimi të rëndësishme infrastrukturore: objekte më moderne, hapësira sportive më cilësore dhe kushte që t’u shërbejnë brezave të ardhshëm. Prandaj, prania e zyrtarëve në Taranto ka një qëllim të qartë: të shohin, të mësojnë, të krijojnë kontakte dhe ta sjellin atë përvojë në Kosovë.

Çdo fond publik duhet të menaxhohet me përgjegjësi dhe transparencë. Por një shtet që dëshiron sport të zhvilluar duhet të investojë në të. Nuk mund të kërkojmë medalje pa mbështetur sportistët. Nuk mund të kërkojmë trajnerë profesionistë pa investuar në zhvillimin e tyre.

Nuk mund të kërkojmë Prishtinën 2030 pa krijuar përvojën dhe kapacitetet që na duhen për ta organizuar atë, andaj Taranto 2026 ka vlerën e saj dhe peshën e saj! Në këtë drejtim, duhet vlerësuar edhe puna e Komitetit Olimpik të Kosovës, në krye me presidentin Ismet Krasniqi, për angazhimin që Kosova të përfaqësohet me një delegacion kaq të gjerë.

Pjesëmarrja e sportistëve, trajnerëve dhe profesionistëve krijon një mundësi të rëndësishme për të ndërtuar përvojën që do t’i duhet Kosovës në vitin 2030 e tutje.

Edhe sporti ka nevojë për shumë meritokraci dhe ka probleme që duhet të thuhen hapur për notuesit e pozitave sepse ka njerëz që kanë qenë për vite në struktura sportive pa lënë pas vetes kontributin që do të duhej, dhe ka raste kur merita nuk ka qenë gjithmonë kriteri kryesor….Kjo duhet të ndryshojë por kjo është një temë tjetër që kërkon debat tjetër dhe jo tani!

Prishtina 2030 është një mundësi për të ndërtuar një kulturë të re sportive, ku puna, merita, profesionalizmi, përgjegjësia dhe rezultatet të jenë baza e çdo pozite dhe vendimi. Sepse sporti i Kosovës është më i madh se çdo individ. Dhe institucionet duhet të ndërtojnë sisteme që funksionojnë pavarësisht se kush është në krye të tyre.

Në fund, do të ishte e padrejtë që Taranto 2026 të shihej vetëm si një kosto. Po, çdo euro publike duhet të justifikohet me përgjegjësi. Por njëkohësisht duhet të kemi edhe aftësinë ta shohim të mirën që një investim i tillë do të sjellë. Le ta shohim si kënaqësi që sporti i Kosovës po rritet. Le të gëzohemi që sportistët tanë po përballen me nivele të reja.

Le të jemi krenarë që sportet kolektive po përjetojnë skena që deri tani nuk i kanë pasur. Le të vlerësojmë trajnerët dhe profesionistët që po fitojnë përvojë. Dhe le ta kuptojmë se pas Tarantos do të mbeten shumë më tepër sesa rezultatet e një edicioni.

Do të mbeten njerëz më të profesionalizuar, trajnerë më të përgatitur, kontakte ndërkombëtare, sisteme më të mira dhe një infrastrukturë që do t’u shërbejë brezave. Taranto 2026 nuk është vetëm një destinacion ku Kosova po garon. Është një përvojë që Kosova do ta sjellë në shtëpi. Sepse në vitin 2030, Prishtina nuk do të jetë më mysafire. Do të jetë nikoqire.

Dhe suksesi i Prishtinës 2030 fillon pikërisht me atë që mësojmë sot. Nga Taranto 2026 në Prishtinën 2030, sporti i Kosovës ka nevojë për vizion, përgjegjësi, standarde të larta dhe punë konkrete.

Si ish-zëvendëspresidente e KOK-ut dhe si dikush që e ka përjetuar nga afër sportin kosovar në të gjitha fazat e rritjes saj dhe organizimet ndërkombëtare, besoj se sot kemi një përgjegjësi më të madhe se kurrë. Mos të matim sportin vetëm me atë që kushton sot. Të masim me atë që do t’i japë Kosovës nesër.

Çdo sportist që sot garon në Taranto, çdo trajner që sot mëson, çdo profesionist që sot krijon një kontakt dhe çdo zyrtar që sot fiton një përvojë, është pjesë e një investimi që mund të marrë formë të plotë në Prishtinë 2030. Unë besoj se Kosovës nuk i mungon talenti. As vullneti por ajo që duhet të ndërtojmë është sistemi.

Dhe sistemi nuk ndërtohet me fjalë, me patriotizëm të momentit apo me pozita. Ndërtohet me meritë, dije, punë, profesionalizëm, investim dhe përgjegjësi. Prandaj, Kosova po e shfrytëzon Taranton për të mësuar nga më të mirët, për të parë ku është dhe për të kuptuar ku duhet të arrijë. Sepse në vitin 2030 bota do të vijë te ne.

Dhe unë dua që atëherë të mos jemi vetëm krenarë që po organizohet Prishtina 2030. Dua të jemi krenarë për mënyrën se si do ta organizojmë. Të tregojmë se Kosova nuk di vetëm të marrë pjesë. Kosova di të ndërtojë. Kosova di të organizojë. Kosova di të profesionalizohet. Dhe Kosova di të jetë nikoqire.

I ka ardhur koha sportit të Kosovës – dhe kjo kohë duhet të shndërrohet në trashëgimi për brezat që vijnë…! Me që ra fjala… ne foto janë vetëm disa nga dëshmitë e vizitave dhe kontakteve nga LO- “ Paris 2024”, ne fushat me të mëdha sportive në botë bashkë me delegacionet më të larta të sportit… përfshi edhe presidentin e FIVB Favio Azevedo, presidentë e presidente të federatave e konfederatave të volejbollit në botë… dhe ish- lojtarë ambasadorë të Lojrave Olimpike!:, ka shkruar Shkodra në profilin e saj në facebook.

Burimi: Bota Sot