Një sulm me dronë rusë ndaj një qendre tregtare në qytetin ukrainas Krivji Rih më 21 gusht, la të vrarë të paktën 16 persona dhe plagosi më shumë se 130 të tjerë, përfshirë 23 fëmijë, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike. Një ditë më vonë, nëntë persona ende rezultojnë të zhdukur. Zjarri përfshiu një hapësirë prej më shumë se 9.000 metra katrorë dhe u deshën disa orë për ta shuar.
Dy dronë rusë goditën qendrën më të madhe tregtare të qytetit pasditen e hershme të 21 gushtit. Sulmi ndodhi në një kohë kur shumë banorë ishin duke bërë pazar para fundjavës. “Pati tym. Të gjithë po bërtisnin” , i tha Yuliana, një punonjëse e qendrës tregtare, Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.
Ajo tha se sulmi shkaktoi shembjen e një pjese të tavanit në garazhin që përdorej për parkim, ku disa blerës dhe punonjës ishin strehuar pas lëshimit të alarmit për sulme ajrore. Një makinë kishte bllokuar hyrjen, duke i detyruar njerëzit të kapërcenin barrierat metalike.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, tha se Rusia e goditi qëllimisht objektin dy herë dhe se vala e dytë e dronëve sulmoi pasi ekipet e emergjencës kishin arritur në vendngjarje. “Sulme të tilla të dyfishta, barbare synojnë të maksimizojnë numrin e viktimave civile.
Ato dëshmojnë statusin e Rusisë si shtet terrorist”, shkroi ai, duke bërë thirrje që “kriminelët që janë përgjegjës për këto mizori” të dalin para drejtësisë. Mbrojtja ajrore nuk arriti t’i zbulonte dronët, pasi ata fluturuan në një “lartësi jashtëzakonisht të ulët”, sipas Oleksandr Vilkul, kreut të këshillit të mbrojtjes së qytetit.
Presidenti Volodymyr Zelensky, i lindur në Krivji Rih, përsëriti thirrjen e tij për mbështetje në mbrojtjen ajrore – përfshirë furnizime të reja me pengues balistikë dhe raketa të tjera – nga partnerët ndërkombëtarë. “Çdo ditë që Ukrainës i mungon mbrojtja ajrore është një sakrificë që mund të ishte shmangur”, shkroi ai në rrjetet sociale më 22 gusht.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm të bllokut evropianë do të diskutojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës gjatë takimit të tyre të parë pas pushimeve verore, në shtator. Sulmi “tregon shthurjen absolute dhe të plotë të luftës së Moskës”, shkroi Kallas në X. “Ky është terror i planifikuar.
Rusia dëshiron t’i bëjë qytetet ukrainase të pabanueshme”. Ajo gjithashtu u zotua të shpallë “sanksionet më gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë që nga fillimi i luftës”, me qëllim që të rritet edhe më shumë ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës. Sulmi vjen pas një serie sulmesh të tjera ajrore ruse ndaj qyteteve ukrainase gjatë kësaj jave.
Më 20 gusht, Rusia lëshoi një breshëri të madhe raketash balistike dhe raketa lundruese, si dhe dronë, drejt Kievit, duke vrarë të paktën 17 persona në kryeqytet dhe përreth tij. Gjatë natës së 21-22 gushtit, Rusia goditi një objekt të infrastrukturës hekurudhore në Kiev. Një person humbi jetën gjatë sulmit.
Zelensky tha se rajonet Odesa, Dnipropetrovsk, Harkiv, Donjeck, Sumi, Herson, Pernihiv dhe Mikolajiv u sulmuan gjithashtu gjatë natës, teksa dëme janë raportuar në ndërtesa banimi, objekte të infrastrukturës energjetike dhe hekurudhore, si dhe ndërmarrje civile.
Moska ka bërë pak përparim në vijën e frontit në Ukrainë që nga fillimi i vitit dhe ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës, duke goditur shpesh infrastrukturën civile dhe duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve.
Ukraina po synon që të forcojë kapacitetet e saj të mbrojtjes ajrore me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, por po përballet me mungesë të raketave Patriot të prodhuara në SHBA. Uashingtoni ka dhënë sinjale të ndryshme lidhur me një marrëveshje të mundshme që do t’i jepte Kievit licencë për prodhimin e sistemeve Patriot.
Ndërkohë, Kievi vazhdoi të godasë infrastrukturën e naftës dhe atë ushtarake brenda Rusisë, ndërsa vendi tani po përballet me krizën më të rëndë të karburanteve ndër vite. Në orët e para të 22 gushtit, dronët ukrainas goditën një rafineri nafte në Novokuibjshevsk, në rajonin rus të Samarës, rreth 900 kilometra larg. Një person u vra në sulm, tha guvernatori lokal.
Një ditë më parë, ushtria ukrainase shënjestroi një objekt rus të naftës në Perm, më shumë se 1.600 kilometra nga kufiri i Rusisë me Ukrainën, si dhe një bazë ajrore ushtarake në rajonin e Volgogradit.
Forcat ukrainase goditën gjithashtu një magazinë të gjigantit të tregtisë elektronike Ozon më 22 gusht, duke zgjeruar sulmet ndaj këtij sektori pas disa javësh sulmesh ndaj objekteve që i përkasin gjigantit rus të shitjeve online, Wildberries. Ozon e konfirmoi sulmin, duke thënë se 500 punonjës u evakuuan “brenda pak minutash”, por shtoi se disa prej tyre kishin pësuar lëndime.
“Ne vazhdojmë, përmes sanksioneve tona me rreze të gjatë, t’i kthejmë pasojat e luftës atje nga ku erdhën”, tha Zelensky më 21 gusht, duke iu referuar fushatës së sulmeve ajrore thellë brenda territorit të Rusisë. / REL
