Stadiumi i Kishnicës ndodhet në gjendje jo të mirë. Objektet i ka të dëmtuara e fushën jashtë funksionit. Deri vonë, ky stadium ishte shtëpia e klubit të futbollit Minatori nga Kishnica dhe një hapësirë ku u zhvilluan shumë talentë që sot luajnë në futbollin e Kosovës dhe në arenën ndërkombëtare. Këtu tash nuk ka mundësi të luhet.
Stadiumi u dëmtua pasi lumi Gracanka që ndodhet afër, doli nga shtrati dhe e përfshiu edhe atë. Por, diçka ka lëvizur për të rregulluar gjërat në këtë vend sportiv.
Nënkryetari i Komunës së Graçanicës në të cilën bie Kishnica, Leutrim Ajeti, që ka konfirmuar dëmtimet e rënda në dhe përreth stadiumit, ka thënë për KosovaPress se kanë përfunduar procedurat administrative dhe është dorëzuar plani zbatues për rregullimit e tij, ani se e pranon që aktualisht nuk ka punime në terren, për të cilat, sic thotë, do të duhej të kontribuonin tre institucione.
Ajeti: Kemi marrëveshje me FFK-në dhe Ministrinë e Sportit për stadiumin në Kishnicë “Aktualisht kemi një lloj marrëveshje ende jo me shkrim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe me Ministrinë e Sportit. Kemi dërguar atje edhe planin zbatues për stadiumin, në këtë rast për stadiumet në Kishnicë, dhe besojmë që së shpejti do të fillojnë punimet. Për momentin s’ka punime.
Sipas ministrisë është vënë në prioritet, por po presim së shpejti ndoshta edhe tek rishikimi i buxhetit, pasiqë dihet mirë që Ministria e Kulturës dhe Sportit tashmë është e ndarë dhe ekzistojnë disa barriera kështu për të filluar punimet më herët”, tha Ajeti.
Ajeti ka thënë se gjasat nuk janë të pakta që ky kompleks, kur të rregullohet, të përdoret e shfrytëzohet për disa qëllime, njëri nga të cilët është pas vetëm katër vjetëve. Ajeti: Stadiumi në Kishnicë propozuam të shërbejë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” “Ne gjithashtu kemi propozuar që ato stadiume të shërbejnë edhe për Lojërat Mesdhetare 2030.
Stadiumet do të quhen kampi shumëetnik, pra do ta ketë në fokus shkollën e futbollit, pra grupmoshat e reja në futboll” , përfundoi Ajeti. Ai ka bërë të ditur se pas përfundimit të stadiumit pritet të rikthehet në aktivitet edhe klubi i futbollit Minatori nga Kishnica, i cili e ka të pezulluar aktivitetin e tij.
