“Djegia e Kosovës nuk e ndryshon të vërtetën, përkundrazi…”, familja

0%

Familja e veprimtarit të vrarë Haki Imeri ka reaguar lidhur me zhvillimet dhe deklaratat e fundit për proceset gjyqësore në Hagë, duke kritikuar ata që i quan “patriotë të rremë” dhe duke kërkuar që drejtësia të lihet të bëjë punën e saj. Në reagimin e tyre thuhet se ata që, sipas familjes, kanë heshtur ose kanë përkrahur krimet në të kaluarën, duhet “ta presin ditën e gjykimit me durim”.

“Për viktimat nuk mendonit. Nuk mendonit se ato vrasje duhej të zbardheshin, se e vërteta duhej të dilte në dritë dhe se urdhërdhënësit e vrasësit nuk mund t’i shpëtojnë ndëshkimit të drejtësisë, as gjykimit të historisë” , thuhet në reagim. Familja e Imerit kritikon edhe paralajmërimet për “djegien” e Kosovës, duke thënë se një gjuhë e tillë nuk mund ta ndryshojë të vërtetën.

“Zhurmat dhe klithmat për ‘djegien’ e Kosovës nuk e ndryshojnë të vërtetën. Përkundrazi, ato vetëm sa i bëjnë edhe më të forta pyetjet dhe pretendimet e ngritura në aktakuzat ndaj Hashim Thaçit” , thuhet më tej.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas familjes, në aktakuzat ndaj ish-presidentit të Kosovës përfshihet edhe pretendimi se ai mund të ketë pasur ndikim në zhvillimet politike në Kosovë edhe gjatë kohës që ndodhet në paraburgim. “Prandaj, pritni me durim po deshët, e nëse jo, vazhdoni më tutje me ‘djegien’ e Kosovës, sepse ashtu i ndihmoni armikut historik të Kosovës, Beogradit”, vijon reagimi.

Familja e veprimtarit Haki Imeri shprehet se drejtësia nuk duhet të ndikohet nga presioni politik apo deklaratat kërcënuese. “Drejtësia nuk ka frikë nga britmat, kërcënimet apo presioni politik. Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë i shqyrton faktet dhe provat”, thuhet në reagim. Në fund, familja thekson se përgjegjësia për krimet, sipas tyre, nuk mund të shmanget përgjithmonë.

“As urdhërdhënësit, as vrasësit, as ata që i kanë mbrojtur nuk mund t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë”, thuhet në reagim. “Mund të vonohet drejtësia, mund të shtrembërohet historia, mund të ngrihen zhurma për ta mbuluar të vërtetën, por e vërteta nuk digjet”, përfundon reagimi i familjes së Haki Imerit.

Burimi: Bota Sot