Përplasja mes Valon Llukës dhe Behgjet Pacollit ka marrë një tjetër dimension, pas deklaratave publike të këtij të fundit lidhur me një proces gjyqësor në Abu Dhabi.
Lluka ka reaguar publikisht, duke i cilësuar pretendimet e Pacollit si të pavërteta dhe manipuluese, ndërsa ka publikuar edhe dokumentacion nga çështja gjyqësore, për të cilin thotë se dëshmon krejt të kundërtën e asaj që është pretenduar për të.
Në një reagim të gjatë, Lluka thotë se Pacolli ka pretenduar se një gjykatë në Abu Dhabi e ka urdhëruar atë të kthejë mjete të “përfituara në mënyrë të paligjshme”. Përgjigjja e tij është kategorike:“Kjo është gënjeshtër.” Sipas Llukës, vendimi gjyqësor të cilit i është referuar Pacolli nuk e ngarkon atë personalisht me detyrimin financiar për të cilin është folur publikisht.
Ai thotë se në procedurën gjyqësore ka qenë “I Padituri i Dytë”, ndërsa detyrimi financiar prej 1,748,680.61 eurosh, sipas tij, i është ngarkuar vetëm “Të Paditurit të Parë”. “Unë isha ‘I Padituri i Dytë’. Prandaj, ky detyrim nuk më është ngarkuar mua. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe është manipulim i qëllimshëm i opinionit publik”, ka shkruar Lluka.
Ai pretendon se padia ndaj tij personalisht është rrëzuar dhe se gjykata nuk ka konstatuar se kishte kontraktuar në emrin e tij personal apo se kishte marrë për vete ndonjë pjesë të shumave që ishin objekt i kontestit. Lluka shkon edhe më tej, duke reaguar ndaj akuzave të tjera që thotë se janë bërë publikisht ndaj tij.
Sipas tij, në vendimin gjyqësor nuk ekziston asnjë konstatim se ai ka vjedhur, ka përfituar mjete në mënyrë të paligjshme, ka përdorur kontrata fiktive apo ka mashtruar punonjësit e kontabilitetit. Për këto pretendime, Lluka e drejton gishtin drejtpërdrejt nga Pacolli. “Këto janë akuza të fabrikuara nga Behgjet Pacolli dhe jo konstatime të Gjykatës”, ka deklaruar ai.
Por reagimi i Llukës nuk kufizohet vetëm në kontestin gjyqësor. Ai ka sfiduar edhe pretendimet e Pacollit se kishte qëndruar larg kompanisë dhe vendimmarrjes menaxheriale. Lluka pretendon se posedon prova dhe dokumente të shumta që, sipas tij, dëshmojnë se Pacolli ka ndërmarrë personalisht veprime dhe ka marrë vendime i vetëm.
“Nuk mund të distancohet sot nga vendimmarrja vetëm atëherë kur i leverdis, ndërsa njëkohësisht të më ngarkojë mua me përgjegjësi përmes deklaratave të pavërteta”, ka shkruar Lluka. Në reagimin e tij, ai i është referuar edhe marrëdhënies së gjatë profesionale me Pacollin dhe kompanitë e tij.
Pas 19 vitesh pune, përkushtimi dhe përgjegjësish të mëdha, Lluka thotë se sot po përballet me shpifje publike dhe me atë që e konsideron manipulim të një vendimi gjyqësor. Pikërisht për këtë arsye, ai thotë se ka vendosur ta publikojë dokumentin, në mënyrë që publiku të mund ta lexojë dhe ta gjykojë vetë përmbajtjen e tij.
Mesazhin e tij për Pacollin e ka përmbledhur në dy fjali:“Dokumentet flasin vetë. Gënjeshtra nuk bëhet e vërtetë, sado herë që përsëritet.” Përplasja, megjithatë, duket se mund të mos përfundojë vetëm me deklarata publike.
Lluka ka paralajmëruar se për ato që i konsideron deklarata të pavërteta dhe dëmtim të qëllimshëm të reputacionit të tij, do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore përkatëse. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
