Curtis Jones ka zbuluar se dëshira për t’u transferuar te Interi kishte nisur prej muajsh, ndërsa tashmë mesfushori anglez e ka bërë zyrtarisht hapin nga Liverpooli drejt klubit italian. 25-vjeçari është transferuar te Interi për 30 milionë euro, plus 5 milionë euro bonuse, ndërsa Liverpooli do të përfitojë edhe 10 për qind të shumës nga një shitje e ardhshme e lojtarit.
Jones ka firmosur kontratë me Interin deri në qershor të vitit 2031. Jones tregoi se për të vendimtare në këtë transferim ishte atmosfera që përjetoi në “San Siro” sezonin e kaluar, kur Liverpooli u përball me Interin në Ligën e Kampionëve. “Gjëja më e rëndësishme ishte ndjenja që pata sezonin e kaluar, kur luajta kundër Interit dhe përjetova pasionin që tifozët kanë për këtë ekip.
Sigurisht, mund të flasim edhe për trofetë, historinë e klubit dhe të gjithë lojtarët e mëdhenj që kanë veshur këtë fanellë. Por tifozët ishin faktori vendimtar”, deklaroi Jones. Ai theksoi se lidhja e tifozëve të Interit me klubin i kujtoi atë që kishte përjetuar gjatë viteve te Liverpooli. “Jam mësuar gjithmonë me atë lloj dashurie dhe mbështetjeje nga tifozët.
Shpresoj të krijoj të njëjtën lidhje të veçantë edhe me tifozët e Interit”, shtoi ai. Jones u shpreh gjithashtu i impresionuar nga ardhja e bashkëkombësve të tij Djed Spence dhe John Stones në Milano. “Fakti që lojtarë si Stones dhe Spence kanë ardhur te Interi tregon nivelin e këtij ekipi.
Interi ka një histori të jashtëzakonshme, skuadra funksionon shumë mirë së bashku, ka një trajner të shkëlqyer dhe staf të mirë. Këto janë gjëra që lojtarët i vlerësojnë”, tha anglezi. Mesfushori, i cili mund të luajë në disa pozicione, zbuloi edhe objektivat e tij personalë. “Kam luajtur në pozicione të ndryshme, ndonjëherë si mbrojtës i djathtë, e ndonjëherë më përpara.
Mund të luaj në disa zona të fushës, por mbi të gjitha dua të shënoj gola dhe të jap asistime për ta ndihmuar ekipin”, deklaroi Jones. Ai premtoi se do të japë maksimumin për fanellën zikaltër. “Jam i gatshëm të punoj sa më shumë dhe të bëj gjithçka që duhet për ta ndihmuar ekipin të fitojë.
Dua ta ndihmoj këtë skuadër që të ngrihet edhe në një nivel më të lartë.” Jones beson se Interi ka potencialin të përballet me ekipet më të mira në botë. “Interi mund të konkurrojë me ekipet më të mira në botë. Mund ta ndjesh urinë që ekziston këtu, ndërsa mbështetja e tifozëve është e pabesueshme.
Tifozët e Interit janë vërtet lojtari i 12-të.” Në fund, ish-lojtari i Liverpoolit u shpreh i emocionuar për aventurën e re në Itali. “Mezi pres të dal në fushë. Dua t’ju emocionoj dhe t’ju jap shumë arsye për të buzëqeshur. Do të jap absolutisht gjithçka për këtë ekip dhe do të bëj pjesën time për ta çuar Interin në një nivel edhe më të lartë”, përfundoi Jones.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
