Bilanc tragjik në Ukrainë, 16 të vdekur dhe mbi 130 të plagosur nga

0%

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 130 të tjerë janë plagosur nga sulmi i dyfishtë rus që goditi të premten një qendër tregtare në Krivyi Rih, në Ukrainë. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në rrënojat e ndërtesës, ndërsa ekipet emergjente po kërkojnë për të mbijetuar dhe persona të zhdukur.

Sipas të dhënave të fundit, nëntë persona rezultojnë ende të zhdukur, mes tyre edhe dy fëmijë. Guvernatori i rajonit të Dnipropetrovskit deklaroi se mes të plagosurve janë 22 fëmijë, ndërsa 29 persona ndodhen të shtruar në spital në gjendje të rëndë. Në mesin e të plagosurve rëndë janë edhe pesë fëmijë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se droni i dytë rus goditi zonën rreth 30 minuta pas sulmit të parë. Sipas Zelenskyt, sulmi i dytë ndodhi në një moment kur në zonë kishin mbërritur ekipet e emergjencës për t’u ardhur në ndihmë viktimave dhe të plagosurve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Presidenti ukrainas e cilësoi sulmin si “absolutisht cinik dhe të neveritshëm”, duke akuzuar Rusinë se kishte vënë në rrezik edhe punonjësit e shpëtimit. “Sulme të tilla nuk janë gjë tjetër veçse akte terroriste”, deklaroi Zelensky, ndërsa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë hapa për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Ukraina do të përgjigjet ndaj sulmeve ruse. Ndërkohë, një tjetër sulm me dron në provincën jugore të Mykolaiv ka shkaktuar të paktën katër viktima, mes tyre tre fëmijë. Sipas mediave shtetërore ukrainase, një grua tjetër mbeti e plagosur nga sulmi.

Sulmet e njëpasnjëshme vijnë në një periudhë kur Rusia dhe Ukraina vijojnë shkëmbimet intensive të goditjeve ajrore, ndërsa qytetet ukrainase mbeten nën kërcënimin e vazhdueshëm të dronëve dhe raketave.

Burimi: Bota Sot