Hetimet për dëmtimin e Kishës Ortodokse “Sveti Spas” në Prizren kanë marrë një zhvillim të ri. Pas punës operative në terren, Policia ka arritur të sigurojë praninë e personit të dyshuar, i cili është intervistuar lidhur me incidentin e ndodhur më 19 gusht. Sinjali mëson se i dyshuari është Valmir Susuri 36-vjeçar , i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti kishte ndodhur rreth orës , në rrugën “Marin Barleti”, ku ishin dëmtuar dy dyer të kishës dhe katër reflektorë. Por hetimet kanë zbuluar një dinamikë më të pazakontë që dyshohet se kishte nisur disa ditë më herët.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali , më 16 gusht, rreth orës , Susuri dyshohet se kishte kaluar pranë kishës dhe kishte hedhur aty dokumentet e tij personale të identifikimit dhe disa dokumente familjare.
Dyshimet e hetuesve janë se dokumentet mund të jenë hedhur për të shmangur identifikimin nga Policia, pasi në atë periudhë në zonë po zhvilloheshin kontrolle lidhur me veprat penale të narkotikëve në kuadër të planit operativ “Doku Fest”. Tri ditë më vonë, rreth orës , i dyshuari dyshohet se është kthyer te kisha për t’i marrë dokumentet. Dyert ishin të mbyllura.
Sipas të dhënave të rastit, ai dyshohet se më pas ka përdorur një kubëz betoni, duke dëmtuar e gërvishtur dy dyer të objektit dhe duke dëmtuar edhe katër reflektorë. Policia kishte nisur kërkimet për sigurimin e pranisë së tij, ndërsa zhvillimi i fundit ka ardhur pas punës operative të Njësisë së Hetimeve në terren.
Hetuesit kanë arritur ta lokalizojnë Susurin dhe ta shoqërojnë për intervistim. Gjatë deklarimit të tij, sipas informacioneve të Sinjalit, 36-vjeçari ka pranuar se personi në fjalë ishte ai vetë, ndërsa për rrethanat e incidentit ka deklaruar se kishte qenë nën ndikimin e alkoolit dhe se nuk i kujtohej përse i kishte ndërmarrë ato veprime.
Për zhvillimet është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Përgjithshme, i cili ka udhëzuar që i dyshuari të lirohet dhe rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt hetimore. Rasti po trajtohet si “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, ndërsa përgjegjësia penale e të dyshuarit mbetet për t’u përcaktuar në procedurën përkatëse.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
