Sinjali ka mësuar identitetin e personit të dyshuar për vjedhjen e rreth 2,700 eurove në pompën e derivateve “Alba Petroll” në Veternik, rast që dyshohet se ndodhi në orët e para të 16 gushtit. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Arben Gajtanin, i cili është identifikuar gjatë hetimeve dhe më 21 gusht është paraqitur në Stacionin Policor Jugu.
Ekskluzive | Kamerat zbardhin vjedhjen e mijëra eurove në “Alba Petroll” – identifikohet i dyshuari, pesë ditë më vonë paraqitet në Polici Rasti ishte raportuar në mëngjesin e 16 gushtit, pasi përgjegjësi i biznesit ishte njoftuar nga një punëtor se gjatë natës dikush kishte hyrë në lokal dhe kishte marrë paratë e pazarit ditor.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, shuma që dyshohet se është vjedhur arrin në 2,686 euro. Një element kyç në zbardhjen e rastit kanë qenë kamerat e sigurisë. Hetuesit kanë siguruar video-incizimet nga objekti dhe, pas shqyrtimit të tyre, kanë arritur të identifikojnë personin që dyshohet se qëndron prapa vjedhjes.
I dyshuari, Arben Gajtani, është paraqitur pesë ditë më vonë në Polici, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës. Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa Gajtani është dërguar në Qendrën e Mbajtjes. Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave vazhdojnë.
I dyshuari gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
