Hoteli dhe restoranti “Liqeni i Dukagjinit”, i cili ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit, është mbyllur nga ministria. Pas këtij zhvillimi, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani ka ngritur një sërë pikëpyetjesh lidhur me mënyrën e ndërtimit, shfrytëzimit dhe funksionimit të objektit.
Zogiani, përmes një shkrimi, thekson se objekti është pronë publike dhe i është dhënë me qira një operatori, ndërsa sipas tij, rasti shoqërohet me një numër të madh shkeljesh të dyshuara ligjore. Sipas Zogianit, objekti është bërë mbi bazën e një “Pëlqimi” të lëshuar nga ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku.
“Ky Pëlqim është tërësisht joligjor, sepse pëlqime të tilla për shfrytëzim nuk jep MMPH”, shkruan Zogiani. Ai ngre pikëpyetje edhe për përmbajtjen e këtij dokumenti, duke theksuar se, ndonëse i jepte të drejtën e shfrytëzimit KRU “Radoniqi”, nuk lejonte bartjen e saj te pala e tretë pa një pëlqim paraprak nga ministria.
Zogiani pretendon gjithashtu se ky pëlqim është në kundërshtim me Ligjin për Ujërat dhe me Vendimin e Qeverisë për Radoniqin të vitit 2013, i cili, sipas tij, ndalon aktivitetet hoteliere dhe turistike në këtë zonë për shkak të statusit të saj si zonë sanitare dhe burim i ujit të pijshëm. Një tjetër çështje që ai e ngre lidhet me destinimin fillestar të objektit.
Sipas Zogianit, objekti, i ndërtuar në vitet ’70 dhe i cili më vonë është prishur e rindërtuar, ishte dedikuar vetëm për funksion administrativ dhe nuk mund të përdorej për qëllime të tjera. Ai pretendon se objekti gjithashtu do të duhej t’i nënshtrohej procedurës së legalizimit, gjë që, sipas tij, nuk ka ndodhur.
Zogiani përmend edhe mungesën e pëlqimit dhe lejes ujore, si dhe mungesën e lejes për transferimin e objektit te pala e tretë. Sipas tij, edhe me pëlqimin e kontestuar për shfrytëzim, operatori kishte obligim të kryente trajtimin e ujërave të shkarkuara, por kjo, pretendon ai, nuk është bërë.
“Janë edhe dhjetëra shkelje tjera që bëhen me teknike, por sot nuk po ju ngarkoj me shumë!” , shkruan Zogiani, duke lënë të kuptohet se çështja mund të përmbajë edhe shkelje të tjera që ai nuk i ka elaboruar në shkrimin e tij.