Trazicioni gradual i pranisë së përhershme në urën e Ibrit në Mitrovicë, është duke i penguar presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Ai të premten në një intervistë për median serbe ka folur për urën mbi lumin Ibër. Vuçiq madje ka treguar se për çështjen e hapjes së urës mbi Ibër i ka shkruar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
“Besoj se Rutte dëshiron të garantojë sigurinë për të gjithë njerëzit në Ballkan dhe, në përputhje me këtë, vetë kërkova respektimin e të drejtave të serbëve dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Po të ishte themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur.
Ura mbi Ibër ishte pjesë e dialogut, ndërsa tani duan ta zhvendosin sepse u pengon që një serb nuk dëshiron ta njohë të ashtuquajturën Kosovë.
Janë gjëra të pabesueshme që dikush të mendojë se Serbia sovrane do të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj; ishte e rëndësishme që ta përdori edhe integritetin tim personal për ta paralajmëruar Rutten për atë që po ndodh”, ka deklaruar Vuçiq. Ai ka thënë se Rutte është njeri inteligjent dhe ka më shumë informacione se kushdo tjetër.
“Është mjaftueshëm i zgjuar që, kur të gjithë e shtyjnë në konflikt me Trumpin, ai të mos hyjë në konflikt. Besoj se edhe tani do të veprojë në mënyrë racionale”, u shpreh Vuçiq.
Profesor, doktor, Sadri Ramabaja, thotë se kjo deklaratë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq flet më shumë se shumë deklarata të tjera për gjendjen shpirtërore dhe politike të Beogradit përballë zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. Sipas tij, ajo është një dëshmi e qartë se ura mbi Ibër nuk është parë nga Beogradi thjesht si një objekt infrastrukture apo si çështje teknike e sigurisë.
“Ura e Ibrit dhe fundi i një iluzioni strategjik Nga deklarata e Vuçiqit te dështimi i projektit për ndarjen e Kosovës “Ura mbi lumin e Ibrit ishte pjesë e dialogut, tani duan ta heqin.” Kjo deklaratë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq flet më shumë se shumë deklarata të tjera për gjendjen shpirtërore dhe politike të Beogradit përballë zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Në të vërtetë, ajo është një dëshmi e qartë se ura mbi Ibër nuk është parë nga Beogradi thjesht si një objekt infrastrukture apo si çështje teknike e sigurisë. Ajo është trajtuar si një aset politik i status quo-së dhe, për pasojë, si një prej simboleve të hapësirës së kontestuar të sovranitetit në veri” , deklaron Ramabaja.
Sipas tij, tërheqja graduale e pranisë së përhershme të KFOR-it duhet parë në kontekstin e një transformimi më të thellë të realitetit politik e strategjik. Ura ishte më tepër se urë, shton Ramabaja.
“Prandaj, paralajmërimi për tërheqjen graduale të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura dhe kalimin e përgjegjësisë së sigurisë te Policia e Kosovës nuk mund të interpretohet vetëm në terma operacionalë. Ai duhet parë në kontekstin e një transformimi më të thellë të realitetit politik e strategjik në veri.
Për rreth 27 vjet, ura mbi Ibër ka qenë një nga simbolet më të fuqishme të ndarjes së Mitrovicës. Në planin fizik, ajo ndante dy pjesë të qytetit; në planin politik, ajo mishëronte një vijë ndarëse shumë më të thellë: kufirin ndërmjet një rendi institucional që Republika e Kosovës synonte ta shtrinte në të gjithë territorin e saj dhe një realitet paralel që Beogradi kishte ushqyer, financuar dhe mbështetur politikisht.
Në këtë kuptim, ura ishte shumë më tepër se urë. Ajo ishte simboli i një status quo-je. Dhe status quo-ja, për Beogradin, nuk ishte neutralitet. Ishte një mundësi strategjike” , thekson profesori. Më 10 gusht, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se e ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën e Ibrit në Mitrovicë.
Siç ka njoftuar KFOR-i, kjo po zhvillohet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit të zvogëlimit gradual të pranisë së KFOR-it.
