Të premten, më , ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli paralajmëroi mbylljen e aktivitetit tek restauranti dhe hoteli “Liqeni i Dukagjinit” i cili ndodhet në zonën e Liqenit të Radoniqit. Një ditë pas kanë reaguar nga ky hotel duke thënë se puna po vazhdon. Festim Xharavina, menaxher tek “Liqeni i Dukagjinit” tha se kanë një kontratë me KRU Radoniqi për aktivitetin.
“Fillimisht ju njoftojmë se ende nuk kemi pranuar asnjë dokumentacion e as vendim në lidhje me këtë çështje andaj edhe jemi duke vazhduar punën. Besojmë të ketë qenë keqkuptim në mes të MMPHI dhe KRU Radoniqi të cilët më pas i bie të jenë kontraktorët tanë.
Ne e kemi të pamundur të dimë nëse ndërmjet vete kanë obligime ligjore apo kontraktuale të papërfunduara (papërmbushura)” – thuhet në reagim. “Shpresojmë që kjo paqartësi të zgjidhet dhe të ri-informohet publiku se puna nuk ka ndaluar dhe do të vazhdojë edhe konform Kontratës me KRU Radoniqi dhe dokumentacionit tjetër të nevojshëm Lokal e Qendror.
Por, kemi vërejtur se gjatë ditës së sotme (si fundjavë) kemi shumë pak mysafirë, për shkak se me siguri klientët kanë pretenduar se Restoranti nuk punon” – thuhet tutje në reagim. Ndërkohë, të premten, ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli tha se do të mbyllet aktiviteti për të ruajtur burimet e ujit në zonën e Liqenit të Radoniqit.
Pacolli, ka bërë të ditur se pronari i këtij aktiviteti është obliguar që brenda 10 ditësh t’i largojë pajisjet nga prona. Ndërkaq, KRU “Gjakova” është obliguar të kujdeset për zbatimin e këtij vendimi dhe të shkëpusë kontratën me operatorin. “Si Ministri, kemi kërkuar hetim të plotë të të gjitha rrethanave dhe përgjegjësve që kanë mundësuar këtë abuzim të hapur.
Kjo përfshin edhe hetimin e veprimeve të ish-zyrtarëve përgjegjës, të cilët mund të kenë keqpërdorur detyrën për të lejuar këtë situatë”- ka shkruar Pacolli, të premten, më .
