Sulmuesi i Kombëtares, Rei Manaj nuk po kalon një moment të mirë me Sivasporin në Turqi dhe në javët e para të kampionatit, ka zhgënjye në fushë. Presidenti i klubit turk, Burak Ozçoban, ka dhënë informacion edhe për gjendjen e Rei Manajt, duke theksuar se sulmuesi shqiptar po punon intensivisht pas dëmtimit të pësuar në prill, por aktualisht i mungon ritmi i ndeshjeve.
Gjatë një konference për mediat, Ozçoban foli për situatën sportive dhe financiare të klubit, ndërsa u ndal edhe te disa prej lojtarëve të skuadrës. Për Manajn, drejtuesi i Sivasporit vlerësoi punën e bërë nga futbollisti gjatë periudhës së rikuperimit, duke nënvizuar se sfida kryesore për të në këtë moment është rikthimi në ritmin e konkurrimit.
“Rei Manaj ka punuar shumë që nga dëmtimi që pësoi në prill. Mungesa e tij më e madhe aktualisht është ritmi i ndeshjeve. Ne i besojmë cilësive të tij”, u shpreh Ozçoban. Deklarata e presidentit vjen në një moment kur Sivaspori është ende në fazën e ndërtimit të skuadrës për sezonin e ri.
Manaj shihet si një prej lojtarëve të rëndësishëm të ekipit, por pas periudhës së gjatë jashtë fushave, rikthimi i tij në ritmin e plotë të ndeshjeve pritet të bëhet gradualisht. Sivaspor e ka nisur sezonin me një barazim 0-0 ndaj Esenler Erokspor dhe më pas pësoi humbje ndaj Kajzerisporit.
Vetë presidenti Ozçoban kërkoi falje për humbjen e dytë dhe deklaroi se skuadra do të kërkojë ta korrigjojë këtë rezultat.
