Vllaznia dhe Skënderbeu kanë barazuar mbrëmjen e sotme, në ndeshjen e parë të sezonit të ri të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, përfundoi me shifrat 2-2. Pas këtij dueli ka folur zëvendës-trajneri i shkodranëve, Ergi Borshi. “Është e drejtë që të gjithë presin më shumë nga Vllaznia, duke filluar nga publiku.
Jemi një ekip i ri, që po ndërtohet, ka bërë disa largime dhe afrime. Është një ekip që është në konsolidim e sipër, kemi shumë punë përpara, por na mbetet të shohim ndeshjet e radhës. Janë shumë gjëra për t’u korrigjuar të cilat do t’i diskutojmë me detaje me stafin. Pas 2-0 u mendua sikur fituam, është një pikë që duhet diskutuar. Nuk mbaron ndeshja as 2-0 e as 3-0.
Deri në momentin e fundit është luftë dhe agresivitet, fitim duelesh derisa loja mbaron. Ndërrimi i parë ishte taktik, sepse në bllokun e ulët që po ruhej Skënderbeu, po ruante kundërsulmet me Nasr, i cili është i shpejtë. Po na dëmtonte në atë krah, Uldedaj është lojtar i lirë, bëri mirë. Por ka akoma punë për të bërë përpara, ishte ndërrim taktik, duke parë që Musta ka eksperiencë.
Lëvizja me Dumfur ishte për kartonin e verdhë dhe spostuam Dulysse aty. Edhe lojtarët e përzgjedhur, janë përzgjedhur për t’i shkuar parimeve dhe ideve që ka trajneri. Mendoj që do ta realizojmë atë stil loje, pasi për këtë janë marrë të gjithë lojtarët që kanë ardhur në skuadër. Manovra sulmuese?
Duke pasur parasysh që Skënderbeu qëndroi në bllok të ulët, është e vështirë të kapësh thellësinë dhe të shkelësh në zonën kundërshtare. Por me anën e krahëve mund të krijosh dendësi me lojtarë. Uldedaj është ndeshja e parë që ka luajtur, erdhi një krosim vetëm nga Musta, ku reagoi mirë portieri i Skënderbeut. Në pjesën e dytë erdhi shpejt goli, Skënderbeu lë hapësira, u shfrytëzuan mirë.
Kishim rast edhe për golin e 3-të me Mehmetit, por nuk është problemi tek golat, ekipet kanë strategjitë e tyre. Detyra jonë për të shkuar aty ku duam ne. Konfuzion në qendrën e mbrojtjes, në markim? Po, është e vërtetë. Treshja e mbrojtjes është hera e parë që kanë luajtur një ndeshje zyrtare me njëri-tjetrin, pasi në Evropë nuk mundëm t’i aktivizonim.
Ndeshje pas ndeshje mendoj se do konsolidohen. Mbrojtja është një repart që është hera e parë që luajnë me njëri-tjetrin. Ka gjëra që duhen rregulluar, por bënë mirë. Duhet punë dhe duhet t’u lësh kohë, duhet familjariteti që krijojnë mbrojtësi ndër vete. Nuk mendoj që në duele dhe agresivitet kanë qenë keq, kanë fituar shumë duele.
Mos të harrojmë që është Dumfur ai që mbyll zonën e Celikovic dhe Pusit. Në pjesën e parë u bë mirë, por ka pasur momente që na kanë rrezikuar me Nasr. Jemi një ekip në konsolidim e sipër, është koha ajo që do të rregullojë shumë gjëra dhe kam besim”, tha Borshi.
