Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me rastin e Nenad Rashkoviqit, duke akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se po përpiqet ta përdorë këtë rast për të zhvendosur vëmendjen nga zbulimi i tri varrezave masive dhe i një arsenali armësh në Kosovë.
Sveçla e ka cilësuar sjelljen e Vuçiqit si të papranueshme, duke theksuar se rasti po shfrytëzohet për të minimizuar përgjegjësinë e shtetit serb për zhvillimet gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Dua të përmend po ashtu sjelljen absolutisht të papranueshme të Presidentit Vuçiç, i cili një pretendim tenton ta shfrytëzojë për minimizimin e veprimeve të shtetit të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë, për tërheqjen e vëmendjes nga të gjeturat, të cilat janë të tmerrshme. Domethënë kemi zbuluar tri varreza masive, kemi zbuluar 71 armë të gjata”, deklaroi Sveçla.
Analisti Eduard Gashi, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar rastin e Nenad Rashkoviqit, pretendimet për keqtrajtim nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, reagimet e Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, si dhe mënyrën se si këto zhvillime po trajtohen në arenën ndërkombëtare.
Gashi ka theksuar se rasti duhet parë në dy nivele, duke kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur të pretendimeve për keqtrajtim, por njëkohësisht duke paralajmëruar për mundësinë e instrumentalizimit politik të rastit nga Beogradi. Eduard Gashi “Rasti duhet parë në dy nivele të ndryshme, të cilat nuk duhet të përzihen.
Së pari, pretendimet e Nenad Rashkoviqit për keqtrajtim nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës duhet të hetohen plotësisht dhe në mënyrë të pavarur. Fakti që Inspektorati Policor ka reaguar dhe se dy zyrtarë policorë janë pezulluar është pikërisht mënyra se si duhet të funksionojë një shtet demokratik. Nëse ka pasur shkelje, përgjegjësit duhet të përgjigjen.
Kosova nuk fiton asgjë duke relativizuar një pretendim për keqtrajtim; përkundrazi, fuqia e saj qëndron te aftësia për ta hetuar edhe vetveten. Por kjo nuk e përjashton mundësinë që Beogradi ta instrumentalizojë politikisht rastin Rashkoviq. Këtu mendoj se ministri Sveçla prek një problem real.
Vuçiqi e ka personalizuar jashtëzakonisht shumë këtë rast, ndërkohë që në të njëjtën zonë janë zbuluar tri lokacione me mbetje mortore të së paku 23 personave dhe një arsenal i konsiderueshëm armësh. Këto janë fakte që meritojnë vëmendje ndërkombëtare shumë më të madhe. Nuk do ta quaja automatikisht çdo deklaratë të Serbisë “dezinformim”, sepse një term i tillë kërkon prova konkrete.
Por Serbia ka një interes të qartë politik që agjenda ndërkombëtare të zhvendoset nga krimet e luftës, personat e zhdukur dhe përgjegjësia e institucioneve serbe, drejt narrativës se serbët në Kosovë janë sot viktimë e një represioni sistematik. Rasti Rashkoviq i shërben në mënyrë të përkryer kësaj strategjie komunikimi.
Në këtë kuptim, po: ekziston një luftë narrative dhe Vuçiqi po përpiqet ta përcaktojë temën për të cilën flitet”, ka thënë ai. Gjithashtu, Gashi është ndalur edhe te mbulimi i zhvillimeve në Kosovë nga mediat ndërkombëtare, duke thënë se nuk mund të flitet për një heshtje absolute, por se ekziston një disproporcion në vëmendjen që i kushtohet ngjarjeve.
“Edhe te mediat perëndimore duhet të jemi të saktë. Nuk ka pasur heshtje absolute: Associated Press, për shembull, ka raportuar për gërmimet dhe varrezat e dyshuara masive. Por është legjitime të shtrohet pyetja për proporcionalitetin e vëmendjes.
Hedhja e vezëve ndaj Albin Kurtit në Kuvend u bë menjëherë material për Reuters, DW dhe media të shumta ndërkombëtare, ndërsa zbulimi i mbetjeve mortore nga lufta nuk ka prodhuar të njëjtën jehonë politike dhe mediatike.
Kjo nuk dëshmon domosdoshmërisht një komplot kundër Kosovës, por tregon se logjika e lajmit ndërkombëtar shpesh favorizon spektaklin politik ndaj proceseve të rënda historike që kërkojnë kontekst. Pikërisht këtu BE-ja duhet të jetë shumë më konsekuente.
Kosova dhe Serbia kanë miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur dhe në janar të këtij viti është mbajtur edhe takimi i parë trepalësh i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur. Ky mekanizëm nuk duhet të mbetet ceremonial. Serbia duhet të japë qasje reale në arkiva, informacione, lokacione të dyshuara dhe dokumentacionin që mund të ndihmojë në gjetjen e të zhdukurve.
BE-ja tashmë e ka instrumentin politik për ta kërkuar këtë dhe duhet ta lidhë progresin evropian me bashkëpunimin konkret, jo vetëm me deklarata”, ka shtuar ai.
Duke folur për ushtrimin e sovranitetit nga institucionet e Kosovës dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, Gashi ka theksuar se siguria e saj vazhdon të mbështetet fuqishëm te KFOR-i, SHBA-ja dhe partnerët evropianë “Kosova ka të drejtë të kërkojë që në territorin e saj të vlejnë ligji, rendi dhe institucionet e Republikës.
Megjithatë, Kosova nuk ndodhet në të njëjtën pozitë gjeopolitike si një shtet i njohur universalisht, anëtar i OKB-së dhe i NATO-s. Siguria e saj vazhdon të mbështetet fuqishëm te KFOR-i, SHBA-ja dhe partnerët evropianë. Për këtë arsye, çmimi diplomatik i një veprimi të pakoordinuar është shumë më i lartë për Kosovën sesa për shumë shtete të tjera.
Këtu qëndron paradoksi ynë: nuk mund t’i kërkojmë BE-së, NATO-s dhe SHBA-së të jenë pranë nesh sa herë që Serbia kërcënon sigurinë e Kosovës, ndërsa koordinimin me të njëjtët partnerë ta konsiderojmë të panevojshëm kur këshilla e tyre nuk na pëlqen. E njëjta logjikë vlen për Urën e Ibrit.
Kosova duhet ta ketë synim të qartë që ura të jetë një urë normale e një qyteti normal dhe jo kufi etnik brenda territorit të saj. Por pyetja politike nuk është vetëm “a kemi të drejtë?”, por edhe “si e realizojmë këtë të drejtë me koston më të vogël strategjike?”. Duhet të mësojmë edhe nga Banjska.
Nuk është e saktë të thuhet se nuk ka pasur fare pasoja: tre persona janë dënuar nga drejtësia e Kosovës në prill të këtij viti. Por problemi kryesor mbetet se shumë të dyshuar, përfshirë Milan Radoiçiqin, ndodhen në Serbi.
Vetë Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje se Serbia nuk ka bashkëpunuar sa duhet në hetimin dhe ndjekjen e përgjegjësve për Banjskën, sulmet ndaj KFOR-it në Zveçan dhe shpërthimin në kanalin e Zubin Potokut”, ka shtuar ai. Sipas Gashit, Kosova duhet të ruajë një ekuilibër mes mbrojtjes së sovranitetit dhe koordinimit me aleatët ndërkombëtarë.
“Në menaxhimin ndërkombëtar të krizave ekziston edhe një realitet tjetër brutal: aktorët e jashtëm shpesh janë më të interesuar që të mos ketë trazira sesa të përcaktojnë në atë moment se kush kishte moralisht të drejtë. Nëse nesër shpërthen dhuna në veri, lajmi ndërkombëtar do të jetë “trazira në veri të Kosovës”.
Shpjegimi se kush e provokoi situatën, kush kishte të drejtë juridikisht dhe kush reagoi do të vijë më vonë – nëse vjen fare. Prandaj Kosova duhet të jetë njëkohësisht e vendosur dhe inteligjente: të mos heqë dorë nga sovraniteti, por ta ushtrojë atë në mënyrë që Serbia të mbetet pala që izolohet diplomatikisht, jo Kosova.
Në këtë rast konkret, BE-ja dhe shtetet perëndimore duhet t’i kërkojnë Serbisë bashkëpunim të plotë për personat e zhdukur dhe për hetimin e krimeve të luftës. Por Prishtina, në të njëjtën kohë, duhet ta rikthejë koordinimin me aleatët në qendër të strategjisë së saj.
Sepse për Kosovën sot pyetja nuk është vetëm: “A kemi të drejtë?” Pyetja vendimtare është: “Si e kthejmë të drejtën tonë në rezultat politik, pa humbur aleatët që na duhen për ta mbrojtur atë?” Ky është dallimi ndërmjet demonstrimit të sovranitetit dhe ndërtimit afatgjatë të fuqisë shtetërore”, ka përfunduar Gashi për “Bota sot”.
