Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar mbylljen e aktivitetit të restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit”, i cili, sipas ministres në detyrë të Mjedisit, Fitore Pacolli, ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.
Pacolli ka bërë të ditur se aktiviteti është mbyllur për shkak të shkeljeve të pretenduara të legjislacionit mjedisor dhe rrezikimit të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijshëm.
“Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar mbylljen e aktivitetit të restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit”, i cili ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit dhe ka funksionuar në kundërshtim të plotë me legjislacionin mjedisor.” Sipas Pacollit, aktiviteti ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Ujërat, Vendimin 09/127 të Qeverisë për caktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit dhe akte të tjera nënligjore.
“Ky aktivitet ka qenë në shkelje flagrante të Ligjit për Ujërat, Vendimit 09/127 të Qeverisë për caktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit dhe akteve të tjera nënligjore, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.” Ministrja në detyrë ka bërë të ditur gjithashtu se është kërkuar hetim i plotë i rrethanave dhe personave përgjegjës që, sipas saj, kanë mundësuar funksionimin e këtij aktiviteti.
“Si Ministri, kemi kërkuar hetim të plotë të të gjitha rrethanave dhe përgjegjësve që kanë mundësuar këtë abuzim të hapur. Kjo përfshin edhe hetimin e veprimeve të ish-zyrtarëve përgjegjës, të cilët mund të kenë keqpërdorur detyrën për të lejuar këtë situatë.” Pacolli ka theksuar se mbrojtja e burimeve dhe rezervuarëve të ujit të pijshëm është përgjegjësi institucionale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
