Beteja me zjarret në Shqipëri, tetë vatra aktive, evakuime dhe

0%

Beteja me flakët vijon të mbetet kritike në disa rajone të vendit. Sipas bilancit zyrtar të bërë me dije nga Ministria e Mbrojtjes, deri në orët e pasdites janë regjistruar 24 vatra zjarri në shkallë vendi, nga të cilat 8 mbeten aktive, 4 janë nën mbikëqyrje të rreptë dhe 1 është vënë tërësisht nën kontroll.

Për përballimin e situatës janë mobilizuar më shumë se 639 efektivë nga struktura të ndryshme, ku përfshihen 369 punonjës të shërbimeve vendore e rajonale dhe 270 pjesëtarë të Forcave të Armatosura. Operacionet tokësore po mbështeten me logjistikë nga 5 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë ushtarakë dhe 2 avionë të specializuar ‘Air Tractor’.

Puka dhe Mirdita pikat më të nxehta Vatra më problematike mbetet ajo në boshtin Gojan–Gjegjan–Tërbun në Bashkinë e Pukës, ku janë përqendruar 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse. Gjendja paraqitet veçanërisht e rënduar në lagjen Pepaj të fshatit Gojan i Madh, ku flakët kanë depërtuar pranë zonave të banuara.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Deri në këto momente konfirmohet djegia e 4 banesave të pabanuara, ndërsa falë ndërhyrjes së shpejtë u bë e mundur shpëtimi i një shtëpie të banuar që rrezikohej drejtpërdrejt. “Prioriteti ynë absolut mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë.

Kapacitetet tona operacionale janë të gjitha në terren dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje,” bëjnë me dije përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes. Në fshatin Shtanë të Mirditës, përhapja e shpejtë e zjarrit ka detyruar Policinë e Shtetit të nisë evakuimin e banorëve për shkak të rrezikut imediat.

Në këtë zonë po ndërhyhet nga ajri me dy helikopterë, ndërsa në gatishmëri është vendosur edhe një autoambulancë. Zhvillimet në vatrat e tjera në vend Aksione intensiv po zhvillohen edhe në rajone të tjera të vendit, ku ndërhyrja nga ajri po luan një rol kyç për mbajtjen e flakëve larg zonave të banuara: Dukat (Vlorë): Zjarri ka marrë shtrirje drejt zonës malore.

Në terren po operojnë forcat e MZSH-së, shërbimi pyjor dhe FA-ja, të mbështetur nga dy avionë ‘Air Tractor’. Aktualisht nuk raportohet rrezik për shtëpitë. Dajt (Tiranë): Puna po fokusohet në izolimin e vatrave mbetëse, ku një pjesë e mirë e tyre tashmë është vënë nën kontroll të plotë.

Mal Milot (Kurbin): Zjarri është fikur tërësisht falë ndërhyrjes së përbashkët të strukturave vendore e ushtarake, ndërsa zona po mbahet nën monitorim për të shmangur riaktivizimin, raporton RTSH. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi se po ndjek në mënyrë të pandërprerë ecurinë e situatës në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat dhe pushtetin vendor.

Burimi: Bota Sot