Kryeministri dhe lideri i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, duhet t’u kërkojë falje qytetarëve për pesë vite përhapje të lajmeve të rreme për spitalin modular, kërkoi sot kryetari i LSDM, Venko Filipçe, pas vendimit të Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për mbylljen e lëndës për furnizimin e spitaleve modulare. „Prokuroria qartë tha se nuk ka keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk ka dëm në buxhet dhe kjo pasqyron tërë punën time, qoftë në klinikë në interes të pacientëve pa korrupsion, ashtu edhe në funksionet e tjera që kam pasur, gjithçka në interes të qytetarëve pa asnjë dëm për askënd,“ tha Filipçe.
Ai akuzoi Mickoskin dhe OBRM-PDUKM-në se për pesë vite kanë udhëhequr fushatë të mbushur me gënjeshtra, ofendime dhe kualifikime të rënda. „Mickoski dhe grupi i tij i organizuar kriminal, me këshilltarin kryesor të PR‑it Latas, kishin nevojë për një vrasës.
Pesë vite flasin për mua se jam vrasës, më krahasojnë me vrasës, me doktor Mengele, imagjinoni, unë që shpëtoj jetë, për të cilin shëndeti i qytetarëve është në vend të parë, nuk ndaluan,“ tha Filipçe, duke shtuar se fushata ka vazhduar edhe pas vendimit të Prokurorisë.
Pas 5 vite hetim, mbyllet lënda për spitalet modulare – Prokuroria thotë se nuk ka dyshim të bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëm në buxhet Kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në vizitën në Prilep, e quajti skandaloz vendimin e prokurorit Islam Abazi për të ndalur procedurën për spitalin modular. „Në spitalin modular në Tetovë të gjallë u dogjën 14 njerëz.
Për fat të keq, prokurori që është në largim, vendosi të mbyllë rastin. Por dua të dijë opinioni se kjo nuk është amnisti politike, sepse gjithmonë mund të dalin detaje të reja dhe procesi mund të hapet përsëri,“ tha Mickoski. Prokuroria konstatoi se nuk ka bazë për dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo ndonjë vepër tjetër penale në procedurat e furnizimit të 19 spitaleve modulare.
Me këtë, lënda u mbyll. Rasti ishte hapur në shtator 2021 me iniciativë të vetë Prokurorisë për të kontrolluar dokumentacionin e furnizimeve dhe mundësinë e përgjegjësisë penale. Në procedurë u analizuan materiale dhe të dhëna nga Qeveria, ministritë e brendshme, financave, punës dhe politikës sociale, shëndetësisë, si dhe nga Byroja e Furnizimeve Publike dhe Prokuroria e Tetovës.
Hetimet treguan se nga prilli deri në qershor 2020 u realizuan tre furnizime për zgjerimin e kapaciteteve spitalore për përballimin e pandemisë, përfshirë kontejnerë pranë Klinikës Infektive në Shkup, pajisje jo‑mjekësore për qendrën rajonale Covid dhe repart modular për Klinikën e Pulmologjisë dhe Alergologjisë.
