Superliga turke po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në arenën ndërkombëtare, ndërsa dy prej sulmuesve më të njohur të futbollit evropian, Romelu Lukaku dhe Victor Osimhen, do të përballen këtë sezon si protagonistë të Fenerbahçe dhe Galatasaray. Dy sulmuesit, të cilët kanë një të kaluar të përbashkët te Napoli, tashmë udhëheqin repartet ofensive të dy rivalëve të mëdhenj të Stambollit.
Përballja e parë mes Galatasarayt dhe Fenerbahçes është planifikuar për 25 tetor, në stadiumin “Ali Sami Yen”. Lukaku, 33-vjeçar, përfaqëson përvojën dhe forcën fizike, ndërsa Osimhen, 27-vjeçar, mbetet një nga sulmuesit më dinamikë dhe më të rrezikshëm në hapësira.
Belgu është më i fuqishëm në duelet fizike dhe në lojën me shpinë nga porta, ndërsa nigeriani dallohet për shpejtësinë, lëvizjet pa top dhe aftësinë për të sulmuar hapësirat. Të dy shkëlqyen te Napoli Osimhen u largua nga Napoli në verën e vitit 2024, pas një periudhe të jashtëzakonshme me klubin italian.
Në 133 paraqitje me fanellën e Napolit, sulmuesi nigerian realizoi 76 gola dhe dhuroi 18 asistime. Sezoni më i suksesshëm ishte ai 2022/23, kur Osimhen shënoi 26 gola në kampionat dhe u shpall golashënuesi më i mirë i Serie A, duke luajtur një rol vendimtar në fitimin e titullit të tretë kampion në historinë e Napolit.
Pas largimit të tij, Napoli afroi Romelu Lukakun, i cili ishte kërkuar nga trajneri Antonio Conte. Sulmuesi belg u bë menjëherë një pikë referimi për repartin ofensiv dhe kontribuoi me 14 gola dhe 10 asistime në rrugëtimin drejt titullit të Napolit. Të dy sulmuesit patën një ndikim të madh në sukseset e klubit italian, por raporti i tyre me tifozët nuk ishte gjithmonë i qetë.
Osimhen pati disa përplasje me drejtuesit e klubit, ndërsa Lukaku u largua nga Italia në fund të sezonit të kaluar për shkak të një dëmtimi në kofshë. Një duel për prestigj dhe rikthim në majë Tani, të dy janë në Stamboll dhe do të jenë përballë njëri-tjetrit në një kampionat që po tërheq gjithnjë e më shumë emra të mëdhenj të futbollit evropian.
Për Lukakun, aventura te Fenerbahçe përfaqëson një mundësi për të rikthyer formën dhe për të dëshmuar se ende mund të jetë një sulmues vendimtar në nivele të larta. Në anën tjetër, Osimhen synon të konsolidojë statusin e tij si një prej sulmuesve më të mirë të gjeneratës së tij dhe të hapë sërish rrugën drejt një transferimi të madh, veçanërisht në Premier League.
Rivaliteti mes dy sulmuesve e bën edhe më interesante përballjen mes Galatasarayt dhe Fenerbahçes, ndërsa në garën për titull pritet të përfshihet edhe Besiktasi. Dy ish-sulmuesit e Napolit tani ndodhen në anët e kundërta të Bosforit. Njëri kërkon rikthimin në majë, tjetri dëshiron të konfirmojë veten në një tjetër kampionat.
Në një Superligë turke që po mbledh gjithnjë e më shumë yje, dueli Lukaku–Osimhen mund të jetë një nga historitë më interesante të sezonit.
