Shtetasit e huaj që qarkullojnë me vetura me targa të huaja në Maqedoni, tashmë mund t’i kontrollojnë online gjobat e trafikut dhe t’i paguajnë ato në mënyrë elektronike. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka njoftuar se është aktivizuar aplikacioni “Safe City”, i cili në këtë fazë u dedikohet pikërisht drejtuesve të automjeteve me targa të huaja.
Përmes aplikacionit, shoferët mund të shohin kundërvajtjet e evidentuara nga sistemi “Safe City”, të kenë qasje në urdhërpagesat dhe t’i kryejnë pagesat online. Për t’u qasur në shërbim, drejtuesi duhet të skanojë ose fotografojë dokumentin e udhëtimit dhe të vendosë targën e automjetit që përdor në Maqedoni.
Sipas Isenit, kjo do t’u mundësojë shoferëve të huaj që të informohen me kohë për gjobat dhe t’i paguajnë ato pa pasur nevojë për ndalime apo vonesa shtesë në pikat kufitare. Funksionalizimi i këtij shërbimi është pjesë e procesit të digjitalizimit të shërbimeve që lidhen me sistemin “Safe City”.
Nga MPB-ja kanë bërë të ditur se në fazat e ardhshme pritet që aplikacioni të zgjerohet edhe për kategori të tjera të përdoruesve.
