Ministria e Mbrojtjes e Finlandës njoftoi të enjten në mbrëmje se dyshon që një avion rus ka hyrë në hapësirën ajrore finlandeze më herët gjatë ditës. “Çdo shkelje e dyshuar e hapësirës ajrore merret seriozisht. Një hetim është duke u zhvilluar”, tha ministri i Mbrojtjes, Antti Hakkanen, në një deklaratë të ministrisë.
Ky është një tjetër incident i dyshuar i këtij lloji në Finlandë, e cila ndan një kufi prej 1,340 kilometrash me Rusinë. Finlanda ka dyshuar më herët se dy avionë ushtarakë rusë kanë hyrë në hapësirën e saj ajrore, përkatësisht në maj dhe qershor, dhe në atë kohë kishte thirrur të ngarkuarin me punë të Rusisë.
Përveç avionëve, autoritetet finlandeze kanë ngritur shqetësime edhe për rrezikun e dronëve që mund të lëvizin drejt territorit të vendit si pasojë e luftës në Ukrainë. Kreu i Inteligjencës së Mbrojtjes Finlandeze (FDI), gjeneralmajor Pekka Turunen, paralajmëroi në janar se ky rrezik është në rritje.
Ai foli përpara publikimit të një raporti të inteligjencës ushtarake finlandeze që përditëson vlerësimin e situatës së sigurisë në vend. Një nga shqetësimet kryesore të raportit është rreziku nga dronët me rreze të gjatë që mund të lëvizin drejt Finlandës.
“Rreziku i një droni që lëviz në hapësirën ajrore finlandeze ose në territorin finlandez po rritet vazhdimisht, sa më shumë që Ukraina sulmon në këtë zonë pranë Gjirit të Finlandës”, tha Turunen. Situata e sigurisë në Finlandë është përkeqësuar që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Megjithatë, inteligjenca finlandeze vlerësoi se situata ka mbetur kryesisht e pandryshuar krahasuar me një vit më parë. Pas pushtimit të plotë të Ukrainës, Finlanda i dha fund dekadave të mosangazhimit ushtarak dhe aplikoi për anëtarësim në NATO. Vendi nordik u bë zyrtarisht anëtar i aleancës në prill të vitit 2023.
Në të gjithë Evropën, shqetësimet për sigurinë ajrore janë rritur pas një serie incidentesh me dronë në hapësirën ajrore të vendeve anëtare të NATO-s. Këto zhvillime kanë nxitur liderët evropianë të dakordohen për zhvillimin e një “muri dronësh” përgjatë kufijve, me qëllim zbulimin, ndjekjen dhe kapjen e dronëve që shkelin hapësirën ajrore evropiane.
Në nëntor, zyrtarë ushtarakë të NATO-s thanë se një sistem i ri amerikan kundër dronëve ishte vendosur në krahun lindor të aleancës. Pas një shkeljeje të hapësirës ajrore polake, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, njoftoi gjithashtu formimin e programit Eastern Sentry, i cili synon të pengojë shkeljet e mëtejshme të hapësirës ajrore nga Rusia.
Ndërkohë, më herët të enjten, një avion luftarak rumun F-16 shkatërroi një dron detar të mbushur me eksploziv pranë projektit më të madh të gazit në det të hapur në Evropë. Kjo ndodhi disa orë pasi një dron tjetër hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë dhe u rrëzua pranë kufirit me Ukrainën.
Disa zyrtarë evropianë i kanë përshkruar incidentet si një provë të reagimit të NATO-s nga Moska, duke ngritur pikëpyetje se sa e përgatitur është aleanca për t’iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme nga Rusia. Kremlini, ndërkaq, ka hedhur poshtë akuzat se Rusia qëndron pas disa prej fluturimeve të dronëve të paidentifikuar në Evropë, duke i cilësuar ato si “të pabazuara”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
