Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 30 të tjerë janë plagosur pas një vale sulmesh ruse me raketa në Kiev dhe rajonin përreth, gjatë orëve të para të së enjtes. Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, gjatë sulmeve janë goditur ndërtesa banimi dhe magazina në disa pjesë të kryeqytetit.
Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se janë dëmtuar edhe një spital për fëmijë dhe një shkollë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pasojat e rënda lidhen edhe me mungesën e raketave të mbrojtjes ajrore, për të cilat Ukraina varet nga furnizimet e aleatëve perëndimorë.
“Ju bëj thirrje aleatëve tanë, madje u lutem atyre, që të na mundësojnë sisteme për mbrojtje nga raketat me rreze të gjatë veprimi. Sistemet ‘Patriot’ janë idealet për të frenuar këto sulme të përgjakshme të Rusisë”, ka deklaruar Zelensky. Ndërkohë, Rumania ka njoftuar se një dron ka hyrë në territorin e saj përmes kufirit verior me Ukrainën, duke aktivizuar sirenat e alarmit ajror.
Edhe ushtria polake ka bërë të ditur se ka nisur “operacione mbrojtëse” për mbrojtjen e hapësirës ajrore, për shkak të zhvillimeve pranë kufirit me Ukrainën. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
