Kosova, Ukraina dhe sprova e koherencës

0%

Rikonfirmimi i qëndrimit të Kievit në Beograd ngre pikëpyetje mbi koherencën e parimeve që e lidhin Kosovën dhe Ukrainën Albanians For America Më 8 gusht, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy qëndroi përkrah Presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Beograd dhe, kur u pyet për qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës, ishte i prerë: qëndrimi i Kievit mbetet i pandryshuar.

Kjo do të thotë se Ukraina edhe më tej nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk e ndryshon politikën e Ukrainës ndaj Kosovës. Rëndësinë këtij zhvillimi ia jep fakti se qëndrimi u rikonfirmua pikërisht në Beograd, në një kohë kur Kievi po kërkon të zgjerojë hapësirën e vet diplomatike në rajon.

Serbia, pavarësisht presionit ndërkombëtar, nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe vazhdon të mbajë marrëdhënie të afërta politike, ekonomike dhe ushtarake me Moskën. Bashkëpunimi ekonomik dhe energjetik ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026, ndërsa lidhjet ushtarake mes Beogradit dhe Moskës janë të konsoliduara prej vitesh.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për këtë arsye, vizita e Zelenskyy-t në Serbi dhe mënyra se si ai e rikonfirmoi qëndrimin për Kosovën kanë një domethënie që shkon përtej marrëdhënieve dypalëshe. Ukraina ka arsye të kuptueshme për këtë qasje. Por, afrimi me Beogradin nuk është politikisht neutral dhe kostoja e tij ndihet më së shumti në raport me Kosovën.

Të nesërmen e vizitës së Zelenskyy-t në Beograd, në Prishtinë u hoq një flamur i madh ukrainas me mbishkrimin “Free Ukraine”, i cili kishte qëndruar në qendër të kryeqytetit për rreth katër vjet. Në Beograd, Ukraina rikonfirmoi se nuk e njeh Kosovën, ndërkaq në Prishtinë, u hoq një nga simbolet më të dukshme të solidaritetit të saj me Ukrainën.

Por, flamuri ukrainas nuk është thelbi i kësaj historie. Thelbi është parimi. Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, Kosova ka qenë e qartë në mbështetjen e saj për Ukrainën. Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë në mbështetje të Ukrainës vetëm dhjetë ditë pas fillimit të pushtimit.

Që atëherë, Kosova ka ofruar ndihmë ushtarake, pajisje, municion dhe automjete, ka marrë pjesë në trajnimin e forcave ukrainase përmes Operacionit Interflex të Mbretërisë së Bashkuar, ka ofruar trajnime për deminim, ka pritur gazetarë ukrainas dhe ka dhënë ndihmë humanitare.

Në maj 2022, Kosova vendosi sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë dhe më pas iu bashkua paketave të tjera të sanksioneve të BE-së. Në shkurt 2026, ajo miratoi edhe pakon e 19-të të sanksioneve të BE-së. Kosova nuk e ka mbështetur Ukrainën për të fituar një favor politik nga Kievi.

E ka bërë sepse e konsideron sovranitetin, integritetin territorial dhe papranueshmërinë e ndryshimit të kufijve me forcë si parime që duhet të vlejnë njësoj për të gjithë. Pikërisht këtu qëndron shqetësimi që ngre qëndrimi i Zelenskyy-t në Beograd.

Ukraina ka kërkuar vazhdimisht që komuniteti ndërkombëtar të mos e njohë aneksimin e territoreve të saj nga Rusia dhe të mos e pranojë ndryshimin e kufijve përmes forcës. Në këtë kontekst, Kosova i ka mbështetur këto kërkesa jo për të marrë diçka në këmbim, por sepse i sheh ato si pjesë të një rendi ndërkombëtar që duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë.

Rrjedhimisht, qëndrimi i Kosovës nuk është transaksional, ndaj i njëjti parim për të cilin po lufton Ukraina nuk mund të trajtohet si i parëndësishëm kur bëhet fjalë për Kosovën. Argumenti i Kievit është i njohur. Ukraina druhet se njohja e Kosovës mund të përdoret nga Rusia si argument propagandistik për t`i justifikuar pretendimet e saj territoriale në Ukrainë.

Kosova nuk është Krimea, Donjecku e as Luhansku. Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si rezultat i aneksimit të territorit nga një shtet tjetër.

Ajo erdhi pas vitesh represioni sistematik, lufte, zhvendosjesh masive dhe krimesh të kryera nga Serbia; pas ndërhyrjes së NATO-s; pas administrimit ndërkombëtar nën Kombet e Bashkuara; dhe pas një procesi të gjatë ndërkombëtar për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Opinioni nuk i detyroi shtetet ta njohin Kosovën, por as nuk e trajtoi deklaratën e pavarësisë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Rasti i Kosovës mbetet i lidhur me rrethanat e tij të veçanta historike dhe politike, çka është një nga arsyet pse nuk mund të përdoret si precedent për territore të tjera. Por këtu qëndron edhe dallimi themelor me atë që Rusia ka bërë në Ukrainë. Krimea u pushtua dhe u aneksua nga Rusia përmes forcës ushtarake.

Rasti i Kosovës ka një histori krejt tjetër: represion, vrasje, masakra, spastrim etnik, luftë, ndërhyrje të NATO-s, administrim ndërkombëtar dhe një proces i gjatë për përcaktimin e statusit. Për më tepër, edhe zëra ukrainas kanë kundërshtuar idenë se Kosova dhe territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia mund të trajtohen si raste paralele.

Pra, Ukraina mund të mbajë edhe më tej qëndrimin e saj politik ndaj Kosovës, por ai bëhet politikisht më problematik kur rikonfirmohet pikërisht në Beograd, në krah të një udhëheqjeje që vazhdon të ruajë marrëdhënie të ngushta me Moskën. Ukraina po kërkon ta zgjerojë hapësirën e saj diplomatike në Ballkan dhe të afrohet me një Serbi që tradicionalisht ka qenë e afërt me Rusinë.

Kjo është një zgjedhje pragmatike. Por, afrimi me Beogradin ka edhe kosto politike, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën. Në këtë rast, afrimi me Beogradin dhe rikonfirmimi i qëndrimit ndaj Kosovës e vendosin Ukrainën përballë një dileme politike që bëhet gjithnjë më e vështirë për t’u shpjeguar në Prishtinë.

Për dekada, Washingtoni ka investuar në stabilitetin e Kosovës dhe në arkitekturën e saj të sigurisë, përfshirë praninë e NATO-s dhe KFOR-it. Kosova nuk është thjesht një çështje e politikës së jashtme amerikane, por pjesë e një angazhimi strategjik amerikan në Ballkan.

Ukraina kërkon mbështetje të gjerë nga SHBA-ja dhe aleatët e saj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Në të njëjtën kohë, vazhdon të mos e njohë një shtet, pavarësinë, sigurinë dhe shtetndërtimin e të cilit SHBA-ja i ka mbështetur fuqishëm për dekada Ky tension nuk mund të anashkalohet në marrëdhëniet transatlantike.

A mund të kërkohet që sovraniteti të respektohet kur bëhet fjalë për Ukrainën, ndërsa i njëjti parim të refuzohet në rastin e Kosovës? Ukraina ka nevojë për mbështetjen dhe kohezionin e Perëndimit, ndaj pikërisht për këtë arsye, marrëdhëniet me partnerët e saj duhet të ndërtohen edhe mbi besim dhe qëndrueshmëri politike.

Për Kosovën, qëndrimi i liderit ukrainas nuk duhet të kthehet në arsye për ta braktisur Ukrainën. Kosova mund të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Ukrainën kundër agresionit rus, por kjo nuk do të thotë se duhet të heshtë për çështjet që prekin drejtpërdrejt interesat e saj. Në fund, kjo nuk është çështje flamujsh apo favoresh diplomatike. Është çështje koherence.

Kosova nuk po kërkon që Ukraina t’i kthejë një borxh politik. Po kërkon që një parim, të cilin Kievi e mbron me të drejtë për veten të mos trajtohet si i parëndësishëm kur bëhet fjalë për Kosovën. Nëse Ukraina kërkon që bota të mos e relativizojë pushtimin e territorit të saj, është e arsyeshme që edhe politika e saj të vlerësohet me të njëjtin standard.

Për Kosovën, përgjigjja është e thjeshtë: njohja e pavarësisë dhe sovranitetit të saj.

Burimi: Telegrafi